Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka njoftuar se ka marrë pjesë në hapjen zyrtare të edicionit të 23-të të Doha Forum në Katar, një prej ngjarjeve më të rëndësishme diplomatike në nivel global.
“Në Katar, pata nderin të marr pjesë në hapjen zyrtare të edicionit të 23-të të Doha Forum,” shkruan Gashi, duke e përshkruar këtë ngjarje si “një ngjarje e jashtëzakonshme nën patronatin e Emirit të Katarit, Sheikut Tamim bin Hamad bin Thani”.
Ai theksoi rëndësinë e forumit, duke e quajtur atë “një platformë të rëndësishme globale për dialog, diplomaci dhe ide të reja për një botë më të drejtë dhe më të qëndrueshme”.
Sipas kryeparlamentarit, Doha Forum mbledh liderë politikë, ekspertë dhe personalitete nga mbarë bota për të diskutuar sfidat globale dhe për të kërkuar zgjidhje inovative.
Gashi pritet të zhvillojë edhe takime dypalëshe gjatë qëndrimit të tij në Katar, në kuadër të thellimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe avancimit të prioriteteve strategjike të vendit.
Burimi: alfax.mk


