Sipas parashikimeve në ditët në vijim janë paralajmëruar reshje të borës dhe rënie të konsiderueshme të temperaturave, Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor (KRSKRR) përkujton për nevojën për drejtim me kujdes dhe përgjegjësi me automjetet motorike, si dhe shfrytëzim të detyrueshëm dhe të drejtë të pajisjes dimërore.
“Para se të nisen për rrugë, është e nevojshme që vetura të përgatitet në mënyrë adekuate për drejtim në kushte dimërore. Bëni kontroll të automjetit i cili zakonisht përfshin: kontroll të antifrizit, nivelit të karburantit, gjendjes së fshirësve dhe lëngut për xhamin e përparmë, gjendjen e akumulatorit dhe gjendjen dhe presionin e gomave”, bëhet e ditur në kumtesë.
KRSKRR njëherësh bën thirrje që shoferët t’i respektojnë rregullat dhe sinjalizimin e vendosur në komunikacion, me kohë të informohen për gjendjen në rrugë, ta përshtatin shpejtësinë e lëvizjes sipas kushteve dhe gjendjes në rrugë, të mbajnë distancë të sigurt ndërmjet automjeteve – me qëllim të rritjes së sigurisë së të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion.
“Hulumtimet tregojnë se kushtet jo të favorshme të motit kërkojnë nga shoferi kujdes më të madh gjatë drejtimit me automjetin. Për këtë, KRSKRR bën thirrje të qartë: Vetëm me sjellje të përgjegjshme në komunikacion të gjithë bashkë mund të kontribuojmë për komunikacion më të sigurt në rrugë – çdo jetë është e rëndësishme”, theksohet në kumtesën e KRSKRR-së.


