Drejtuesit e Volkswagenitpo mbajnë takime urgjente me punëtorët këtë javë, për të diskutuar programin më radikal të uljes së kostove deri më tani. Mund të shkurtohen deri në 100,000 vende pune dhe disa fabrika mund të mbyllen.
Industria gjermane e makinave po përballet me një krizë të thellë strukturore për shkak të presionit të fortë nga konkurrenca kineze, kalimit në automjete elektrike, kostove më të larta të prodhimit dhe sfidave të tjera.
Punëtorët janë veçanërisht të shqetësuar për mënyrën se si ristrukturimi u është paraqitur atyre deri më tani. Përfaqësuesit e punëtorëve e përshkruajnë komunikimin e menaxhmentit me ta si “katastrofik”.
Bisedimet me punëtorët po zhvillohen në fabrikat e VW, duke përfshirë Emden, Zwickau, Braunschweig dhe Hanover.
Punëtorët kishin rënë më parë dakord të shkurtonin rreth 50,000 vende pune, kryesisht përmes programeve të largimit vullnetar. Por menaxhmenti njoftoi më pas se do të duhej të shkurtoheshin edhe 50,000 vende të tjera pune.
Arsyet për masat drastike
CEO i kompanisë, Oliver Blume, theksoi se VW është në një “gjendje më shumë se kritike” dhe se masat e marra deri më tani nuk janë të mjaftueshme për të rivendosur konkurrueshmërinë.
“Ne jemi tepër të mëdhenj.Kjo është arsyeja pse shpesh jemi shumë të ngadaltë dhe shumë të komplikuar”, u tha ai punonjësve javën e kaluar në një intervistë të publikuar në intranetin e kompanisë.
Me pothuajse 630,000 punonjës, Volkswagen është bërë dukshëm më i madh se konkurrentët e tij gjatë dekadave të fundit, pasi vendosi të kontrollojë më shumë faza të prodhimit, ndërsa njëkohësisht mori përsipër kompani dhe marka rivale si Skoda, Porsche, SEAT dhe Bugatti.
Prodhuesi gjerman gjithashtu është vonuar në kalimin në automjete elektrike në një kohë kur konkurrentët kinezë po fillonin të pushtonin tregun. Kjo ka çuar në një rënie të ndjeshme të shitjeve në atë që dikur ishte tregu më i madh i kompanisë – Kina.
Blume paralajmëroi se Volkswagen aktualisht prodhon rreth gjysmë milioni automjete më shumë në Evropë në vit sesa mund të shesë.
Ndërsa mbyllja e fabrikave gjermane do të ishte një zgjidhje e fundit, Blume tha se menaxhmenti “aktualisht nuk sheh asnjë mënyrë se si VW mund të jetë fitimprurës deri në vitet 2030”.
Prodhues të tjerë të makinave kanë kritikuar edhe kostot e larta të të bërit biznes në Gjermani. Midis tyre është CEO i Mercedes, Olla Källenius, i cili muajin e kaluar foli për një ndryshim prej 70 përqind të kostos midis operacioneve të kompanisë në Hungari dhe Gjermani.
Reagime të pashmangshme
Blume pritet të përballet me një reagim të ashpër nga punonjësit, të cilët janë ndër më të paguarit në industrinë e automobilave në botë, falë fuqisë dhe ndikimit të sindikatave dhe përfaqësuesve të punëtorëve.
Duke pranuar tashmë planet e mëparshme të ristrukturimit të Volkswagen, Presidentja e sindikatës IG Metal, Christiane Benner, tha se punëtorët po “merrnin përsëri shuplakë në fytyrë”.
Gjatë një takimi me punëtorët përfaqësuesja e punëtorëve Daniela Cavallo, tha se “besimi” te Blume dhe bordi i drejtorëve ishte “thyer”, por “ende jo i pariparueshëm”.
Muajin e kaluar, bordi mbikëqyrës i VW, i cili përfshin përfaqësues të aksionarëve dhe punonjësve, hodhi poshtë një raund të dytë propozimesh për uljen e kostove.
Gjërat i ndërlikon edhe më tej fakti se Volkswagen është pjesërisht në pronësi të shtetit të Saksonisë së Poshtme, i cili ka 20 përqind të të drejtave të votës. Sipas mediave gjermane, qeveria e landit ka refuzuar të miratojë planet.
“Saksonia e Poshtme është një vend makinash… dhe duhet të mbetet kështu”, tha të hënën kryeministri Olaf Liss. “Tani është e rëndësishme për mua që të gjejmë zgjidhje të përbashkëta”.
Çfarë përfshijnë planet e kompanisë?
Blume i tha të përjavshmes Bild am Sonntag fundjavën e kaluar se kishte përgatitur “planin më të madh të transformimit në historinë e Grupit Volkswagen”.
Plani i tij “Target Vision 2030” kërkon përgjysmimin e numrit të modeleve që ofron Volkswagen dhe uljen e shpenzimeve të përgjithshme, veçanërisht në Gjermani. Prodhuesi gjithashtu do të zvogëlojë objektivin e tij global të prodhimit. Ai arriti rreth 11 milionë automjete në vitin 2018 dhe do të ulet në nëntë milionë në vit në të ardhmen.
Përballë konkurrencës në rritje nga Kina, por edhe tarifave amerikane, rreziqeve gjeopolitike dhe burokracisë, Blume paralajmëroi se menaxhmenti i Volkswagen duhet të “ketë parasysh edhe rritjen e rreziqeve në të gjithë botën”.
Shumica e prodhuesve kryesorë të makinave në botë po përpiqen t’i përgjigjen depërtimit të automjeteve elektrike kineze në tregjet globale, zhvillimeve gjithnjë e më të paparashikueshme të tregut dhe presionit në rritje të rregullave të BE-së për arritjen e emetimeve zero, të cilat parashikojnë gjithashtu gjoba për prodhuesit që nuk arrijnë të përmbushin objektivat e emetimeve.
Blume i tha gazetës se vitet e ardhshme do të jenë “vendimtare” për atë se cilët prodhues makinash do të mbeten të qëndrueshëm.
Ai thotë se Volkswagen ka arritur një marzh të fortë operativ prej 3.8 përqind, por se fitimi nuk është i mjaftueshëm për të investuar në teknologji dhe produkte të reja, dhe për të mirëmbajtur objektet e fabrikës. / DW
Burimi: botasot.info

