Krishtlindje mes pasigurie, larg shtëpive dhe nën hijen e luftës. Për mijëra ukrainas, festa këtë vit nuk solli qetësi, por një tjetër kujtesë të asaj që është humbur dhe të asaj që ende shpresohet, paqja.
Në një strehë për të zhvendosurit e brendshëm, 71-vjeçarja Halyna Zaitseva rrëfen dhimbjen e jetës së lënë pas. Shtëpia e saj pranë Pokrovsk-ut është shkatërruar nga lufta.
“Dua që gjithçka të jetë e bukur. Dua që djemtë tanë, mbrojtësit tanë, ta festojnë Krishtlindjen dhe të kthehen në shtëpi. Mjaft më. Dua paqe”, tha Halyna Zaitseva, banore.
Si ajo, mijëra familje në mbarë Ukrainën po e festojnë Krishtlindjen larg shtëpive, duke u kapur pas traditave që sjellin pak ngrohtësi familjare.
Ndërsa qytetarët luten për qetësi, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në mesazhin e tij të Krishtlindjes foli për një popull që feston në kushte të vështira, por që nuk është thyer.
“Jo të gjithë jemi sot në shtëpi, jo të gjithë kemi ende një shtëpi. Por Rusia nuk mund të pushtojë atë që ka më shumë rëndësi: zemrën ukrainase, besimin te njëri-tjetri dhe unitetin tonë”, tha ai.
Zelensky akuzoi Rusinë për sulme masive me dronë dhe raketa, duke thënë se këto veprime nuk kanë asgjë të përbashkët me vlerat njerëzore apo të krishtera.
“Ne jemi më të lumtur kur dëgjojmë muzikën e Krishtlindjes, dhe jo zhurmën e dronëve dhe raketave”, tha ai.
Megjithatë, mes lutjeve dhe qëndresës, ai theksoi se dëshira e përbashkët e ukrainasve mbetet paqja.
Burimi: botasot.info


