Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) të martën mban mbledhjen e parë për këtë vit, në të cilin në rend dite është vendimi për shpalljen e thirrjes publike për kandidatura për kryesues dhe zëvendëskryesues të KPK-së.
Po ashtu, në rend dite është edhe shqyrtimi dhe miratimi i Rregullores për zgjedhjen e kryesuesit dhe zëvendëskryesuesit të KPK-së në përputhje me Ligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ky takim pritet të fillojë nga ora 14:00.
Ndryshe, nga ky muaj nis zbatimi i Ligjit për plotësim/ndryshimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) përmes të cilit parashihet që KPK të ketë 7 anëtarë, nga 13 anëtarë që kishte me ligjin e vjetër.
Sai përket përbërjes së Këshillit, del se në këtë fillimvit anëtarë të KPK-së mbeten Visar Krasniqi, Dardan Vuniqi, Milot Krasniqi, Arian Gashi dhe ushtruesi detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj.
Ndërsa, Elza Bajrami-Kastrati përmes rrugëve ligjore pranë gjykatës pret që të konfirmohet si anëtare e KPK-së, në bazë të mandatit të fituar më 1 nëntor 2025 në Konferencën e Përgjithshme të Prokurorëve të Shtetit. Në rast se Bajrami-Kastrati konfirmon mandatin edhe me vendim gjykate, KPK në përbërje do të ketë 6 anëtarë, duke mbetur që 1 pozitë të plotësohet prej Kuvendi.
Së fundmi, Themelorja caktoi masë të sigurisë ndaj vendimit të KPK-së përmes të cilit ishte refuzuar certifikimi i rezultateve zgjedhore.
Në fund të 2025-ës, ndodhi shkarkimi i kundërligjshëm i Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, i cili u ankua në Gjykatë dhe sipas vendimeve gjyqësore, do duhej që të rikthehej në pozitën e tij.
Por, vetëm një javë para vitit të ri 2026, Kelmendi kërkoi nga ky Këshill që ta lironte nga detyra, kërkesë kjo që u miratua nga anëtarët e Këshillit.
Burimi: botasot.info


