Kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski, vetëm pak ditë pas fitores në zgjedhjet lokale të 19 tetorit, ka nisur fuqishëm mandatin e tij të dytë me një ofensivë të re ndërtimore në çdo cep të komunës.
Në një publikim në rrjetet sociale, Kostovski njoftoi se ka bërë inspektim në rrugën 21 në vendbanimin Rasadnik, ku po zhvillohen punime për rindërtimin e plotë të infrastrukturës. Rruga ka një gjatësi prej 450 metrash, ndërsa në këtë zonë pritet të rikonstruktohen edhe rrugët:
• Butelska 2
• Angel Mojskovski
• Aleksandar Grličkov
• Ljubinka Basotova
“Po i ndryshojmë gjërat për të siguruar kushte dinjitoze për jetesë për të gjithë qytetarët. Investojmë dhe ndërtojmë aty ku për dekada askush s’ka pasur interes.” theksoi Kostovski.
Ai shtoi se puna sapo ka filluar dhe se në këtë mandat Buteli do të shndërrohet në një komunë moderne, më e rregullt dhe më e denjë për qytetarët e saj.
“Vazhdojmë së bashku për një Butel më të mirë dhe më të zhvilluar!” përfundoi Kostovski në mesazhin e tij.




