Kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski, njoftoi sot se ka nënshkruar miratimin për ndërtimin e ujësjellësit në fshatrat Luboten dhe Lubancë, një ndër projektet më të rëndësishme për komunën dhe për banorët e këtyre dy vendbanimeve.
Sipas Kostovskit, gjatë ditës së nesërme Ministria e Transportit do të shpallë thirrjen për tender publik për përzgjedhjen e kompanisë që do të realizojë punimet.
“Shumë shpejt fillojmë me punë!”, ka shkruar Kostovski në profilin e tij në Facebook, duke shtuar se ky është një nga projektet më të dashura për të që kur mori besimin e qytetarëve.
Kryetari Kostovski potencoi rëndësinë e projektit për përmbushjen e një nevoje elementare të banorëve, duke vlerësuar edhe sfidat e mëdha teknike dhe institucionale që janë kapërcyer gjatë procesit.
Në fund, Kostovski shprehu falënderim për kryeministrin Hristijan Mickoski dhe zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Transportit, Aleksandar Nikollovski, për mbështetjen dhe bashkëpunimin e ngushtë në këtë projekt.


