Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është bërë njëra nga 19 nënshkruesit e Bordit të Paqes, një mekanizëm ndërkombëtar i themeluar me iniciativë të presidentit amerikan, Donald Trump, me synim rindërtimin dhe stabilizimin e Gazës pas luftës dyvjeçare shkatërrimtare.
Vetë Trump ka deklaruar se ky plan pritet të ketë “sukses të madh” në rikthimin e paqes dhe zhvillimit në rajon.
Pjesëmarrja e Kosovës në këtë Bord përfaqëson një moment të rëndësishëm diplomatik dhe politik, duke shënuar një fazë të re të angazhimit të saj në iniciativa globale për paqe, siguri dhe rindërtim pas konflikteve.
Që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, Kosova ka pasur si prioritet strategjik forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar dhe anëtarësimin në organizata rajonale e globale.
Megjithë pengesat e vazhdueshme diplomatike, vendi ka ndërtuar një profil të qartë si shtet pro-perëndimor, i orientuar drejt paqes, demokracisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Në këtë kontekst, përfshirja në Bordin e Paqes shihet si vazhdimësi logjike e këtij orientimi.
Kosova, si shtet që ka përjetuar luftë, shkatërrim dhe rindërtim me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht të Shteteve të Bashkuara, sjell në këtë Bord një përvojë unike dhe të besueshme.
Presidentja Osmani ka theksuar se marrëveshja për pjesëmarrjen e Kosovës në këtë Bord do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim, duke nënvizuar rëndësinë institucionale dhe kushtetuese të këtij angazhimi.
“Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të paqes e që udhëhiqen nga aleati ynë strategjik, fuqizon sovranitetin tonë, pozicionin tonë ndërkombëtar dhe është në interesin më të lartë të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Osmani pas ceremonisë së nënshkrimit.
Përfshirja në një mekanizëm të udhëhequr nga SHBA-ja përforcon më tej lidhjen strategjike Kosovë–Shtetet e Bashkuara, një aleancë që ka qenë vendimtare për lirinë, pavarësinë dhe sigurinë e vendit.
Ceremonia e nënshkrimit është mbajtur në Davos të Zvicrës, në kuadër të takimeve të nivelit të lartë ndërkombëtar, duke i dhënë kësaj nisme peshë të veçantë politike dhe simbolike.
Përveç Kosovës, pjesë e Bordit të Paqes janë bërë edhe shtete nga rajone të ndryshme të botës, përfshirë Bahrejnin, Argjentinën, Armeninë, Azerbajxhanin, Belgjikën, Bullgarinë, Egjiptin, Hungarinë, Indonezinë, Jordaninë, Kazakistanin, Mongolinë, Pakistanin, Paraguain, Katarin, Arabinë Saudite, Turqinë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Uzbekistanin.
Fakti që Kosova është ulur në të njëjtën tryezë me këto shtete, si palë e barabartë, përbën një dëshmi të rritjes së rolit të saj në arenën ndërkombëtare.
Pjesëmarrja e Kosovës në Bordin e Paqes ka edhe një dimension të fortë simbolik.
Një vend që dikur ishte objekt i ndërhyrjeve ndërkombëtare për paqe, sot po shndërrohet në kontribuues aktiv në ndërtimin e paqes globale.
Ky angazhim i ri forcon narrativën e Kosovës si shtet i përgjegjshëm, partner i besueshëm i Perëndimit dhe zë i legjitimuar në diskutimet ndërkombëtare për paqe, siguri dhe rindërtim pas konflikteve.
Burimi: botasot.info


