Komiteti i Rajoneve i Bashkimit Evropian (CoR), ka vendosur ta heqë përdorimin e fusnotës në emrin e Kosovës në dokumentet dhe komunikimet e tij, njoftoi të enjten Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK).
AKK shkroi në Facebook se u njoftua nga CoR-i se në opinionin e tij më të fundit mbi Paketën e Zgjerimit të BE-së 2025 për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, ka vendosur që në dokumentet dhe komunikimet e tij publike të ndërpritet përdorimi i emërtimit Kosovë me fusnotë, dhe të përdoret thjesht Kosovë.
Vendimi i Komitetit Evropian të Rajoneve për të hequr fusnotën nga emërtimi i Kosovës në dokumentet dhe komunikimet e tij paraqet një zhvillim të rëndësishëm në kontekstin e afirmimit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.
Ky hap vjen pas më shumë se një dekade nga marrëveshja e vitit 2012 për përfaqësimin rajonal, e cila parashihte përdorimin e fusnotës krahas emrit të Kosovës si kompromis në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Heqja e saj nga një institucion i Bashkimit Evropian sinjalizon një ndryshim të qasjes në trajtimin institucional të Kosovës dhe mund të shihet si një hap drejt konsolidimit të subjektivitetit ndërkombëtar të saj. Në këtë kuptim, ky vendim ngre pyetje të rëndësishme mbi domethënien politike dhe diplomatike që ka për Kosovën, si dhe për ndikimin që mund të ketë në procesin e afirmimit të saj në arenën ndërkombëtare.
Lama: Lajmi për heqjen e fusnotës është i mirë

E për këtë temë, për “Bota sot” foli ish-ambasadorja Alma Lama, e cila tha se ky është një lajm i mirë për Kosovën.
“Komiteti Evropian i Rajoneve është një lloj asosacioni i komunave dhe rajoneve nga të gjitha vendet e BE-së, i përbërë nga anëtarë të zgjedhur në nivel lokal. Funksioni i tij është të japin opinione dhe të propozojnë ligje, pasi 70% e ligjeve të BE-së e afektojnë pushtetin lokal. Lajmi për heqjen e fusnotës është i mirë, por nuk ka ndonjë rëndësi shumë të madhe, siç po tentohet të interpretohet”.
Krahas kësaj, ajo kërkoi që PE ta njohë Kosovën dhe të ndikojë që edhe shtetet anëtare të saj ta njohin vendin tonë.
“Asambleja e këtij institucioni përbëhet nga përfaqësues të zgjedhur që i përkasin grupacioneve të ndryshme politike. E rëndësishme është që Parlamenti Evropian e njeh pavarësinë e Kosovës, si i vetmi institucion evropian, por që nuk ka fuqi t’ua diktojë njohjen vendeve anëtare. Komiteti i Rajoneve nuk ka pasur ndonjë detyrim për ta vendosur fusnotën për Kosovën, pasi aty votohet me shumicë dhe nuk kanë ndonjë fuqi ekzekutive, por vetëm opiniondhënëse”, përmbylli Alma Lama për “Bota sot”.
Nimani: Ky vendim mund të shërbejë si precedent që edhe institucione të tjera të Bashkimit Evropian

Ndërsa, edhe Artan Nimani e konsideroi këtë si jap të rëndësishëm për Kosovën, derisa kërkoi që edhe institucionet tjera të BE ta ndjekin rrugën e CoR.
Po ashtu, ai potencoi faktin se me largimin e fusnotës, Kosova do përforcohet dhe shtetet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur vendin tonë, do e shohin atë të afirmuar në skenën ndërkombëtare.
“Përveç se është një hap simbolik i rëndësishëm, ky vendim mund të shërbejë si precedent që edhe institucione të tjera të Bashkimit Evropian ta ndjekin të njëjtën rrugë, duke kontribuar në njohjen më të gjerë të Kosovës.
Gjithashtu, theksoj se ky proces do të ndihmojë që të njoftohen dhe pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, duke forcuar gradualisht afirmimin e vendit tonë në arenën ndërkombëtare”, përfundoi Artan Nimani për “Bota sot”.
Burimi: botasot.info

