Zgjedhjet e reja po konsiderohen domosdoshmëri për t’i dhënë fund krizës politike të krijuar në Kosovë.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për masë të përkohshme përmes së cilës ua ndalon deputetëve të ndërmarrin veprime si dhe ndalon zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, është duke u konsideruar si zgjatje e krizës dhe njohësit e zhvillimeve politike zgjedhjet e reja i shohin si zgjidhje.
Të premten, Gjykata Kushtetuese vendosi për masë për përkohshme e cila do të jetë në fuqi nga (5 deri më 30 shtator).
Kjo masë u vendos në mënyrë ex officio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të Listës Serbe.
Kushtetuesja tha se e pranoi kërkesën për masë të përkohshme, sepse ajo i shërben “evitimit të rreziqeve ose dëmeve të pariparueshme” dhe është në “interes publik”.
Ky vendim u kritikua nga partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, më 07.09.2025, ka thënë se Gjykata Kushtetuese po funksionon si hije politike e opozitës ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.
Lideri i LVV-së ka deklaruar se Gjykata mori masë të përkohshme sipas kërkesës së Listës Serbe, ndërsa shtoi se nuk është hera e parë që Gjykata Kushtetuese, “vonon e dëmton qëllimshëm”.
Ai ka thënë se “kjo është ngjashëm sikur Arben Vitia të lëshojë vendim mjekësor që ata shtatë gjyqtarë të shkojnë në pushim mjekësor për shkak të gjendjes së tyre të rënduar”.
Por, një shqetësim pas kësaj ka shprehur Gjykata e cila ka thënë se vendimet e Gjykatës Kushtetuese bazohen ekskluzivisht në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në praktikën e saj gjyqësore, si dhe në standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
“Rrjedhimisht, çdo deklaratë që tenton të relativizojë apo paragjykojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese është jo vetëm e papërgjegjshme, por edhe e dëmshme për zhvillimin demokratik të vendit”- thuhet tutje në reagim.
Po ashtu, Gjykata ka apeluar tek të gjitha palët që të respektojnë pavarësinë e saj, të përmbahen nga deklaratat që cenojnë integritetin e gjyqtarëve dhe vendimmarrjen e tyre të pavarur, dhe të kontribuojnë në forcimin e rendit kushtetues.
Gjersa, ka mospajtime rreth partisë në pushtet dhe Kushtetueses, njohësit e zhvillimeve në vend kërkojnë zgjedhje të reja.
Jo pazare të errëta, por rikthim te populli
Opinionisti Lirim Gashi, thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese pasqyron krizën e thellë politike e morale.
Sipas tij, kur Gjykata detyrohet të ngrijë veprimet e Kuvendit, atëherë nuk ka vetëm krizë institucionale, por është në krizë vetë sovraniteti popullor.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e masës së përkohshme nuk është vetëm një akt juridik, por një pasqyrë e krizës së thellë politike e morale që ka kapluar Kosovën. Kur Gjykata detyrohet të ngrijë veprimet e Kuvendit, atëherë nuk jemi më vetëm në krizë institucionale, por edhe në krizë të vetë sovranitetit popullor”, deklaron Gashi.
Sipas tij, zgjidhja qëndron te rikthimi te populli.
Nëse duhet t’i jepet fund krizës njëherë e përgjithmonë, duhet kthyer te fjala e sovranit, shton Gashi.
“Zgjidhja nuk qëndron në pazare të errëta mes partive politike, por tek rikthimi te populli – i vetmi burim legjitimiteti. Zgjedhjet e reja nuk janë luks, por domosdoshmëri demokratike. Ato janë si një akt pastrimi moral, juridik e politik, ku qytetarët thonë fjalën e fundit, e jo gjykatat, ambasadat apo tavolinat e negociatave të fshehta. Pra, nëse duam t’i japim fund krizës njëherë e përgjithmonë, duhet ta kthejmë fjalën te sovrani i vetëm i ligjshëm: populli. Zgjedhjet nuk janë frikë, por shpresë; jo krizë, por zgjidhje”, shprehet opinionisti.
Rreth krizës politike në Kuvend kishin reaguar vazhdimisht edhe ambasadat e vendet ndërkombëtare dhe një reagim të fundit ka bërë Ambasada Gjermane në Kosovë.
Në një reagim të bërë të martë, kjo ambasadë ka theksuar rëndësinë e pavarësisë së sistemit juridik si “gurthemel i sundimit të ligjit”.
“Ftojmë të gjithë aktorët politik dhe institucionet në Kosovë të respektojnë Gjykatën Kushtetuese dhe të gjithë pavarësinë e sistemit juridit, të përmbahen nga çdo ndërhyrje, përfshi sulmet personale” – thuhet mes tjerash në reagimin e Ambasadës.
Bllokada institucionale serioze, zgjedhjet zgjidhje

Ndërsa, politologu nga Brukseli, Ramadan Gjanaj, thotë se vendimi i Kushtetueses pasqyron seriozitetin e bllokadës.
Zgjedhjet e parakohshme, janë zgjidhja më legjitime dhe demokratike për të dalë nga kriza, parasheh Gjanaj.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese pasqyron mbi të gjitha seriozitetin e bllokadës institucionale në Kosovë. Si politolog, do të thosha se zgjedhjet e parakohshme mund të duken si zgjidhja më legjitime dhe më demokratike për të dalë nga kriza, pasi ato ua kthejnë qytetarëve të drejtën e fjalës dhe qartësojnë raportet e forcave politike. Megjithatë, ato nuk garantojnë domosdoshmërisht stabilitet afatgjatë”, pohon politologu
Ai zgjedhjet i konsideron hap të domosdoshëm.
“Pa një vullnet të vërtetë për kompromis dhe bashkëpunim mes partive, ekziston rreziku i përsëritjes së të njëjtave bllokada edhe pas votimeve. Me fjalë të tjera, zgjedhjet e reja mund të jenë një hap i domosdoshëm, por ato do të jenë efektive vetëm nëse shoqërohen me një ndryshim të qasjes politike: respektimin e rregullave kushtetuese dhe vendosjen e interesit të përgjithshëm mbi rivalitetet partiake”, përfundon Gjanaj.
Seanca konstituive për legjislaturën e re të dalë nga zgjedhjet e shkurtit nisi më 15 prill.
Pas muajsh bllokadë dy aktgjykime të publikuara nga Kushtetuesja dhe një mase të përkohshme, Dimal Basha nga LVV-ja u zgjodh kryetar Kuvendi më 26 gusht.
Më pas, përmes votimit të përbashkët u zgjodhën edhe nënkryetarët nga partitë shqiptare: Albulena Haxhiu nga LVV-ja, Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Ndërsa, kriza vazhdoi pasi u zgjodhën nënkryetarët nga komunitetet tjera në një pako, ndërsa nga komuniteti serb veçmas.
Burimi: botasot.info


