Kosova është në një krizë institucionale, pasi deputetët kanë dështuar të konstituojnë Kuvendin dhe institucionet e reja.
Ky ngërç natyrshëm që ka edhe pasojat e veta, e të cilat dëmtojnë shtetin dhe qytetarët e saj.
Mirëpo, përveç pasojave të kësaj bllokade, Kosova po vuan edhe pasojat nga sanksionet që janë vendosur nga BE.
Qeveria në detyrë është në pritje të Bashkimit Evropian që, në kuadër të heqjes graduale të sanksioneve, të fillojë me funksionimin dhe mbajtjen e takimeve të nënkomiteteve të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Kosovën, si dhe me projektet e asistencës teknike të Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor, që prekin fusha si energjia, infrastruktura e të tjera.
Ndonëse janë bërë përpjekje për t’u larguar këto masa, ato ende qëndrojnë.
Javë më parë, edhe Parlamenti Evropian miratoi raportin për Kosovën, në të cilin, ndër të tjera, kërkohet edhe heqja e menjëhershme e masave ndëshkuese ndaj saj.
Në fund të muajit qershor janë bërë dy vjet nga vendosja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, dhe deri më tani është raportuar se vendi ka pësuar rreth 300 milionë euro dëme, për shkak të bllokimit të projekteve të ndryshme
Mirëpo, krahas bllokadës institucionale, a do duhej të kishte një angazhim më të madh për heqjen e sanksioneve të BE-së?
Voca: Një shtet që u ndëshkua pa u dëgjuar plotësisht, ndërkohë që pala tjetër shpërblehet pavarësisht provokimeve, nuk është mesazh që ndërton besim

E në lidhje me këtë temë, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli doktori i i Integrimeve Evropiane Mirsad Voca.
Si fillim, ai u shpreh se në parim këto sanskione janë të padrejta, pasi u ndëshkua një shtet pa u dëgjuar, derisa pala tjetër që provokon tolerohet.
Megjithatë, ai tha se edhe skena jonë politike ka fajet e saj.
“Sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, pavarësisht si arsyetohen ne gjuhën diplomatike, nuk mund të shmangin përshtypjen e një qasjeje të padrejtë dhe asimetrike. Një shtet që u ndëshkua pa u dëgjuar plotësisht, ndërkohë që pala tjetër shpërblehet pavarësisht provokimeve të përsëritura, nuk është mesazh që ndërton besim tek nje popull që është mësuar të besojë në vlera, jo në pazar.
Megjithatë, përballë kësaj padrejtësie, nuk na lejohet të jemi të pafajshëm. Sepse përtej gabimeve të jashtme, ekziston një përgjegjësi shumë më e rëndë: ajo e brendshme, për të cilën mbajmë barrën vetë. Ngërçi institucional dhe paaftësia për të funksionalizuar Kuvendin nuk janë thjesht çështje teknike por ato janë pasqyre e një krize të kulturës politike që duket se ka humbur rrugën drejt shtetndërtimit”, nënvizoi ai.
Krahas kësaj, potencoi se tani është koha për të marrë përgjegjësi të gjitha partitë, në mënyrë që t’i jepet fund krizës së përhershme.
“Nuk është koha për alibi. Është koha për përgjegjësi dhe kjo përgjegjësi nuk ka ngjyrë politike. Qeveria në detyrë duhet të sillet si lidere në maturi, jo vetëm në fjalë. Opozita duhet të kuptojë se sabotimi i institucioneve nuk është strategji, por vetëpërjashtim nga historia. E mbi të gjitha, të gjitha partitë duhet t’i japin fund luksit të krizës së përhershme dhe të vendosin shtetin përpara kalkulimeve”.
Ndër të tjera, shtoi se BE ka nevojë të reflektojë për qasjen e tij ndaj Kosovës, por edhe shteti ynë duhet të reflektojë në raport me qasjen e saj.
“Sovrani nuk është spektator por është gjykatësi i heshtur që pret me durim, por që nuk harron. E njësoj edhe miqtë ndërkombëtarë: ata ndihmojnë, por nuk mund të bëjnë për ne atë që ne nuk jemi të gatshëm ta bëjmë për veten. Bashkimi Evropian ka nevojë të reflektojë për qasjen e tij ndaj Kosovës, por edhe Kosova ka nevojë të reflektojë nëse po sillet si një partnere që di të përfaqësojë me dinjitet vlerat për të cilat është ngritur”, përfundoi Mirsad Voca për “Bota sot”.
Shabani: Sanksionet nga BE-ja akoma vazhdojnë dhe kjo e bllokon vendin edhe më shumë

Kurse, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Amir Shabani ndërlidhi sanksionet e BE-së dhe bllokadën institucionale.
Ai në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se kështu po dëmtohet shteti edhe më shumë, si në aspektin e politikës së brendshme, ashtu edhe të asaj të jashtme.
“Ndonëse Kosovën e ka kapluar një ngërç politik tani më një periudhë të gjatë kohore, sanksionet nga BE-ja akoma vazhdojnë për Prishtinën zyrtare dhe kjo e bllokon vendin edhe më shumë, e para me zhvillimin politik të brendshëm, e dyta me zhvillimin e politikës së jashtme”, nënvizoi ai.
Krahas kësaj, njohësi kritikoi BE-në për qasjen e saj ndaj Ballkanit Perëndimor, për këtë vlerëson se ndihma më e madhe për Kosovën është SHBA.
Kësisoj, shpreson që me ndihmën e aleatëve ndërkombëtar, do të dilet nga ngërçi i brendshëm dhe nga sanskionet e jashtme.
“Sa i përket angazhimit diplomatik nga BE-ja për largimin e këtyre sanksioneve, tani më vite me radhë Bashkimi Evropian ka humbur drejtimin politik kundrejt Ballkanit Perëndimor dhe vazhdimisht po stagnon në këtë drejtim. Ndihma më e madhe ndaj Kosovës konstatohet të jetë më shumë nga SHBA-ja dhe me siguri kjo do jetë mundësia e vetme për ç’bllokimin e vendit, si nga konstituimi i Kuvendit, ashtu edhe nga sanksionet e jashtme”, përfundoi Amir Shabani për “Bota sot”.
Burimi: botasot.info


