Tubimi i fundit në Beograd ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik dhe ekspertëve për shqetësimet që ngre programi i quajtur “Bota Serbe”.
Shoqata Historike Ruse u zyrtarizua në Asamblenë themeluese në Beograd më 26 tetor, me ambicien për të krijuar atë që e quajnë “Bota Serbe”.
“Kjo ngjarje është për të gjithë ata që e shohin Serbinë si një shtet që do të ‘luftojë pa asnjë kufizim për krijimin paqësor të Botës Serbe’ dhe që të jetë një aleate e vërtetë e Rusisë dhe Kinës,” deklaroi kryetari i Këshillit të degës së Beogradit të shoqatës, Aleksandar Vulin.
Lidhur me këtë çështje, veprimtari nga Bujanovci, Refik Hasani, përmes një prononcimi për “Bota Sot”, ka paralajmëruar se programi “Bota Serbe” përbën një rrezik për shqiptarët, duke synuar zhdukjen, asimilimin dhe shpërnguljen e tyre, siç dëshmon edhe dokumenti sekret “Naçertanija” i vitit 1844.
“Rreziqet që mund t’i kanosen më së shumti neve shqiptarëve nga programi i ashtuquajtur “Bota Serbe” janë shqetësuese, për shkak të përvojave të hidhura nga kujtesa kolektive e shqiptarëve. Me një sërë platformash dhe memorandumesh që janë hartuar ndër dekada nga Kisha Ortodokse dhe Akademia e Shkencave, janë zhvilluar programe të dedikuara kryekëput kundër neve shqiptarëve, me synim zhdukjen, dëbimin, asimilimin, shkombëtarizimin, shfarosjen dhe shpërnguljen e shqiptarëve. Një shembull i tillë është “Naçertanija” e Ilija Grashaninit, një projekt i detajuar, i paraqitur në formë të planit dhe platformës së sintetizuar si dokument sekret në vitin 1844. Serbia ka pasur edhe programe të tjera të hartuara kundër neve shqiptarëve, përmes planeve, elaboratëve, pamfleteve dhe dokumenteve që janë zhvilluar për më shumë se një shekull nga Kisha Ortodokse dhe Akademia e Shkencave”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Hasani ka shtuar se programi “Bota Serbe” shqetëson shqiptarët, pasi manifestohet përmes tubimeve masovike, fjalimeve luftënxitëse dhe paradave ushtarake, duke synuar pushtimin dhe kolonizimin e territoreve shqiptare dhe rrezikuar stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
“Nga programi i ashtuquajtur “Bota Serbe” shqetësuese për ne shqiptarët është se ky projekt po manifestohet përmes tubimeve masovike të serbëve nga ish-hapsirat e RSFJ-së. Serbia vazhdon të ushqejë dhe të helmojë popullin e vet, duke synuar me plane pushtuese dhe kolonizuese edhe territoret shqiptare, përmes fjalimeve luftënxitëse dhe paradave ushtarake. Vërehet se janë shtuar apetitet për dominim dhe hegjemoni, duke kërcënuar haptas jo vetëm ish-hapsirat e Jugosllavisë, por edhe pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor”, ka shtuar ai.
Tutje, Hasani ka theksuar se shqiptarët kërcënohen nga manifestimi i hapur i programit “Bota Serbe”, me ambicie ekspansioniste dhe shoveniste.
Sipas tij, shqetësuese janë dukuritë e urrejtjes antishqiptare në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, përmes grafiteve, fjalimeve të liderëve, parlamentit dhe mediave, që nxisin frikë, fyerje dhe dhunë simbolike.
“Ne shqiptarët kërcnohemi më së shumti nga manifestimi i hapur i programit “Bota Serbe”, i cili shfaqet me ritëm të shpejtë për të vazhduar hegjemonin e Serbisë ndaj fqinjëve, me ambicie ekspansioniste dhe shoveniste. Serbia ushqen më së shumti pretendime kundër neve shqiptarëve, edhe pse sot ka territore shqiptare që janë zgjeruar në dëm të neve.
Ne shqiptarët duhet të shqetësohemi veçanërisht nga ky program, pasi në vendbanimet dhe lokalitetet e Rajonit që përfshin Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, hasen dukuri të shpeshta të urrejtjes antishqiptare, përfshirë grafite, fjalime të liderëve politikë dhe institucionalë, si dhe në Parlamentin e Serbisë dhe mediat me frekuencë kombëtare. Diskursi i përdorur vazhdimisht nxit urrejtje, frikësim dhe fyerje ndaj shqiptarëve, duke përfshirë edhe mbishkrime në pankarta me përmbajtje “Vdekje shqiptarëve””, ka dekluar Hasani.
Në fund, Hasani ka pyetur pse qeveritë e Tiranës dhe Prishtinës nuk kanë reaguar ende ndaj “Botës serbe”
“Pse Tirana dhe Prishtina zyrtare ende nuk reagojnë për “Botën serbe”? Nëse nuk patën kohë të reagojnë dhe të votojnë rezolutën mbi pasivizimin dhe pastrimin etnik në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, dhe mbi diskriminimin, ndoshta tashmë do të jetë vonë nëse nuk veprojnë tani për rrezikun e “Botës serbe””, ka përfunduar Hasani.
Burimi: botasot.info


