kosova kerkon qe serbia ti dorezoje te akuzuarit per banjsken ne dyvjetorin e vrasjes se bunjakut 68d3bc40a7fbc

Kosova kërkon që Serbia t’i dorëzojë të akuzuarit për Banjskën në dyvjetorin e vrasjes së Bunjakut

September 24, 2025
min lexim

Udhëheqësit e Kosovës i kanë kërkuar bashkësisë ndërkombëtare t’i bëjë trysni Serbisë për ta dorëzuar të dyshuarin kryesor Millan Radoiçiqin dhe të akuzuarit e tjerë për sulmin e armatosur në veri të vendit, në dyvjetorin e vrasjes së rreshterit policor Afrim Bunjaku.

Bunjaku u vra më 24 shtator 2023 gjatë një sulmi që një grup serbësh të armatosur e kryen kundër Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit.

Dy vjet pas sulmit, njeriu që e mori përgjegjësinë për organizimin e tij, Millan Radoiçiq, është ende i lirë dhe me vendbanim të regjistruar në Beograd.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, pasi bëri homazhe të varri i Bunjakut, i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare “të mos e konsiderojë Serbinë shtet normal përderisa ajo nuk i dorëzon kriminelët e Serbisë të organizuar dhe udhëhequr nga Millan Radoiçiq dhe të financuar e mbështetur nga Beogradi zyrtar dhe presidenti atje, Aleksandar Vuçiq”.

Serbia e ka mohuar çdo përfshirje në sulmin e Banjskës dhe ende nuk ka ngritur aktakuzë ndaj tij, pavarësisht se vitin e kaluar kishte paralajmëruar se do ta bënte.

Gjykata e Lartë në Beograd tha për Radion Evropa e Lirë këtë javë se Radoiçiqit i është zgjatur masa e ndalimit të largimit nga Serbia, me detyrimin që të paraqitet në polici më 1 dhe 15 të çdo muaji.

Vitin e kaluar, Kosova ngriti aktakuzë kundër 45 të dyshuarve për sulmin në Banjskë, ndërsa vetëm tre nga këta të akuzuar janë duke u gjykuar në Prishtinë, pasi të tjerët janë të paarritshëm për autoritetet kosovare. Që të tre i mohojnë akuzat.

“Të akuzuarit duhet t’i dorëzohen menjëherë Kosovës, ku ka aktakuzë për ta dhe fakte të panumërta për përfshirje në këtë vrasje të Afrim Bunjakut dhe në këtë sulm agresor e terrorist të tyre”, tha Kurti.

Kurti shtoi se “rënia heroike e Afrim Bunjakut nuk ishte e kotë, ishte një rënie që e ngriti republikën e Kosovës brenda dhe në reputacionin e saj ndërkombëtar [duke treguar] që kemi të bëjmë me një shtet i cili i del zot vetvetes dhe i cili ka policë për t’i mbrojtur qytetarët pa dallim”.

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, tha se Serbia duhet t’i dorëzojë “terroristët për të cilët ka aktakuzë dhe i bëjmë thirrje edhe bashkësisë ndërkombëtarë të ushtrojë trysni ndaj Serbisë”.

Kosova i ka kërkuar vazhdimisht bashkësisë ndërkombëtare që të bëjë trysni mbi Serbinë, por Beogradi nuk pranon t’i ekstradojë të akuzuarit, duke thënë se ata do të gjykohen në Serbi.

Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë, tha se është e “papranueshme” që dy vjet nga sulmi, Radoiçiqi vazhdon të jetojë i lirë në Serbi.

“Dy vjet pas vrasjes së oficerit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, dhe pavarësisht premtimeve të shumta se kryerësit do të përgjigjen para ligjit, ende nuk është dhënë drejtësi. Është e domosdoshme që llogaridhënia dhe drejtësia të zbatohen pa asnjë vonesë tjetër”, tha Ambasada gjermane. / REL

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

kampionati boteror ne vitin 2030 pritet te kete me shume kombetare 68d3bc34d1a96
Lajmi i mëparshëm

Kampionati Botëror në vitin 2030 pritet të ketë më shumë Kombëtare

lamallari pret ne takim te ngarkuaren me pune te shba diskutuam per ecurine e zbatimit te reformes ne drejtesi 68d3bce3101aa
Lajmi i radhës

Lamallari pret në takim të Ngarkuarën me Punë të SHBA: Diskutuam për ecurinë e zbatimit të reformës në drejtësi

Të fundit nga

ShkoLartë