1
Shkup, 25 korrik – Për shumë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut punësimi përmes kontratave në vepër është bërë simboli më i qartë i një sistemi që në vend se të ofrojë siguri ka ofruar pasiguri, në vend se të garantojë të drejta ka prodhuar varësi politike dhe kushte pune jo të favorshme. Kjo praktikë, e kritikuar gjatë nga opozita shqiptare, është konsideruar si një nga mënyrat më të shëmtuara të instrumentalizimit të nevojave jetike të qytetarëve për përfitime politike. Por, tani shqiptarët shpresën e tyre për një punësim të sigurtë dhe me garancë të plotë e kanë drejtuar kah VLEN-i, se çfarë do të ndodhë mbetet të shihet. VLEN do të jetë mburojë e punëtorëve apo do t’i zhgënjej? shkruan Zhurnal.
Kur do të vijë epoka e punësimeve dinjitoze?
Gjatë fushatës parazgjedhore, koalicioni VLEN tashmë pjesë e qeverisë e ka vënë në shënjestër modelin më barbar të punësimit përmes kontratave në vepër. VLEN kanë akuzuar Bashkimin Demokratik për Integrim se kjo parti e ka përdorur këtë skemë si mekanizëm presioni. Sipas tyre, qytetarët ishin shpesh të detyruar të mbështesin politikisht BDI-në në mënyrë që të mos humbnin vendin e tyre të përkohshëm të punës. Nëse vota nuk shkonte në drejtimin e “duhur”, kontrata e vepër ndalej dhe me të ndalej edhe mundësia për të mbajtur familjen.
Ky realitet i hidhur ka krijuar një gjeneratë të trishtë të tërë që jeton nga kontrata në kontratë, pa sigurim shëndetësor, pa të drejtë pushimi, pa ndjenjën e sigurisë që sjell një marrëdhënie pune e rregullt dhe e ndershme. Qytetarët shqiptarë, veçanërisht të rinjtë, janë lodhur duke u trajtuar si numra zgjedhorë dhe jo si individë me të drejta të barabarta. Ata nuk duan të jenë pjesë e një pazari politik ku dinjiteti njerëzor përdoret si mjet tregtimi për pushtet.
Prandaj, kjo qasje duhet të dënohet njëherë e përgjithmonë pavarësisht se kush është në pushtet, instrumentalizimi i qytetarëve shqiptarë të cilët edhe mund të quhen nevojtarë nuk është dhe nuk duhet të jetë i tolerueshëm. Sepse, duke heshtur me vite të tëra kjo qasje jo normale po rrëshqet në një normalitet të trishtë që po përsëritet padallim se kush po qeverisë me vendin.
Përmes kontratave në vepër qytetarër po shndërrohen në objekte tregtimi “ma jep votën ta vazhdojë kontratën” –
Tani më është koha që kjo “kryevepër” e BDI-së të përfundojë aty ku e ka vendin në historinë e praktikave të padrejta dhe të përbuzshme politike për shqiptarët e këtij vendi që kanë duruar dhe vuajtur mjaftueshëm.
Shqiptarëve nuk u duhen kontrata që zgjatin tre muaj dhe që varen nga humori i një drejtori partie, atyre u nevojiten vende pune të qëndrueshme, të merituara dhe pa ndikim politik. Nevojitet një sistem ku përvoja, arsimi dhe aftësitë të jenë kriteret e vetme për punësim, jo vota apo lojaliteti partiak.
Koalicioni VLEN, i cili mori besimin e shumë shqiptarëve pikërisht sepse premtoi ndryshim, ka para vetes një përgjegjësi historike. Ata kanë premtuar krijimin e 2.500 vendeve të reja pune, dhe qytetarët me të drejtë presin që ato të mos jenë thjesht numra për në letër, apo edhe më keq të njëjtin model të vjetër të mbështjellë me retorikë të re.
Ky është momenti i provës për VLEN-in ose do të jenë ndërtuesit e epokës së punësimeve dinjitoze, ose do të përfundojnë si vazhdim i natyrshëm i një avazi të vjetër që qytetarët e njohin mirë dhe e kanë refuzuar me votë. Koha për dinjitet ka ardhur, tani pritet vepra, jo kontrata në vepër. /Zhurnal.mk
Burimi: zhurnal.mk


