Një 46-vjeçar shkodran është arrestuar nga policia lokale në pikën kufitare të Muriqanit, ndërsa 2 kontrollorë të Doganës u morën nën procedim për shpërdorim detyre, pasi lejuan kalimin e mallrave kontrabanda nga Mali i Zi për në territorin shqiptar.
Aksioni është kryer në aksin rrugor Shkodër–Muriqan, kur i dyshuari Fatbardh Lishi u kap duke transportuar mallra të dyshuara të kontrabanduara, pije freskuese, me vlerë rreth 5000 euro. Si provë u sekuestrua edhe mjeti i transportit.
“Bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për kontrabandë mallrash, shërbimet e DVKM Shkodër kanë ndaluar në aksin rrugor “Shkodër–Muriqan” automjetin me drejtues shtetasin F. L., i cili me automjetin e tij po transportonte mallra kontrabandë, në sasi 352 kuti ( 8448 kanaçe) pije freskuese. Në vijim të veprimeve për këtë rast: u arrestua në flagrancë shtetasi F. L., 46 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “kontrabanda me mallra të tjera”. U referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit I. K., 32 vjeç, dhe G. K., 53 vjeç, të dy me detyrë kontrollorë në doganën e Muriqanit”, bëri me dije zyrtarisht policia për rastin.
Mallrat dhe automjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Kurse materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Burimi: botasot.info


