Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), ka kërkuar që të ndryshojë qasja ndaj Kosovës, duke theksuar se ka ardhur koha që vendi të ecë drejt anëtarësimit në OKB.
Konjufca vuri në pikëpyetje vazhdimin e debatit për Kosovën në Këshillin e Sigurimit, duke thënë se ky organ ka shumë çështje të tjera të rëndësishme të cilave mund t’u kushtojë vëmendje.
Ai theksoi se përfaqësuesit e Kosovës marrin pjesë në këto mbledhje për të paraqitur të vërtetën dhe për t’iu kundërvënë, siç u shpreh, përpjekjeve destabilizuese të udhëheqësve të Serbisë, të cilat synojnë të cenojnë përparimin e Kosovës nga lufta drejt demokracisë.
Kreu i diplomacisë kosovare foli edhe për rolin e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), duke vlerësuar se resurset e tij mund të shfrytëzohen më mirë për të mundësuar qasjen e Kosovës në sistemin e OKB-së, përfshirë organet, agjencitë dhe programet e saj.
Sipas Konjufcës, këto resurse nuk duhet të shërbejnë si platformë për paraqitjen e pretendimeve që, sipas tij, synojnë të dëmtojnë stabilitetin rajonal.
Në fund të fjalës së tij, Konjufca iu referua edhe opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se ky opinion konfirmoi se shpallja e pavarësisë nuk e kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Ai tha se ka ardhur koha që Këshilli i Sigurimit të ndjekë një agjendë afirmative, e cila do të mundësonte anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Burimi: botasot.info


