Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, 21 Dhjetori – Dita e Arsimit në Gjuhën Turke u festua me entuziazëm të madh, transmeton Anadolu.
Ceremonia qendrore e Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke, e organizuar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA) dhe Lidhja e Organizatave Joqeveritare Turke të Maqedonisë (MATÜSİTEB), u mbajt në Pallatin e Sporteve “Boris Trajkovski” në Shkup.
Në këtë aktivitet morën pjesë zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, ish-kryetari i parlamentit të Turqisë, Mustafa Sentop, Ambasadori i Turqisë në Shkup, Fatih Ulusoy, kryetari i TIKA-s Abdullah Eren, ministra, deputetë, politikanë, përfaqësues të institucioneve turke dhe vendore, si dhe një numër i madh nga komuniteti turk i Maqedonisë së Veriut.
– “Nuk ka vend më të afërt për Maqedoninë e Veriut se Turqia”
Duke folur në ceremoni, Nikolloski theksoi se mes dy popujve dhe dy vendeve ka shumë gjëra që mund t’i thonë dhe t’i ndajnë së bashku.
Ai vuri në dukje se arsimi në gjuhën amtare është një nga arritjet më të mëdha qytetëruese që mund të ketë një popull, duke shtuar: “Mund të them me krenari se Maqedonia e Veriut e ka bërë këtë të mundur për të gjithë anëtarët e komunitetit turk, për popullin turk që jeton në Maqedoninë e Veriut”.
“Nuk ka popull më të afërt me popullin maqedonas sesa populli turk, nuk ka vend më të afërt me Maqedoninë sesa Republika e Turqisë, dhe për këtë arsye duhet të punojmë së bashku për kushte edhe më të mira për mësimin e gjuhës turke, por edhe për arsimin në gjuhën amtare turke”, theksoi ai.
Ndërkaq, ish-kryetari i parlamentit të Turqisë, Mustafa Sentop, përcolli përshëndetjet e presidentit Recep Tayyip Erdogan për turqit e Maqedonisë së Veriut dhe uroi të gjithë me rastin e Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke.
Duke theksuar se turqishtja nuk është vetëm një gjuhë që flitet, Sentop tha: “Turqishtja është kujtesë, turqishtja është identitet, turqishtja është një urë që lidh zemrën me zemrën. Sot kësaj ure po i shkruajmë edhe një emër: Festa e Arsimit në Gjuhën Turke”.
– “Gjuha është flamuri i një kombi”
Ambasadori Fatih Ulusoy falënderoi TIKA-n dhe MATUSITEB-in për organizimin e koncertit me këtë rast, duke theksuar se “vetëm nëse e mësojmë dhe ua mësojnë të tjerëve gjuhën tonë siç duhet, mund ta përcjellim identitetin kombëtar, traditat dhe kulturën tonë te brezat e ardhshëm”.
Kryetari i TIKA-s, Abdullah Eren, tha se pas tërheqjes së Perandorisë Osmane nga këto troje, turqit që mbetën këtu u përpoqën të ruajnë kulturën, gjuhën dhe fenë e tyre.
Duke kujtuar se Dita e Arsimit në Gjuhën Turke festohet me një entuziazëm të madh, Eren u shpreh: “Kanë kaluar shekuj, kanë fryrë erëra, por një zë në këto troje nuk u shua kurrë. Ajo copë toke për të cilën Yahya Kemal tha ‘Aty ku turqishtja nuk është tërhequr, aty është atdheu’, ishte këtu. Këtë betejë për identitetin e zhvilluat ju dhe të parët tuaj dhe falë tyre sot komuniteti turk në Maqedoninë e Veriut vazhdon të jetojë në paqe e qetësi dhe të kontribuojë për këtë vend”.
Nga ana e tij, kryetari i MATUSITEB-it, Tahsin Ibrahim, theksoi se sot nuk po festohet vetëm një festë, por po përshëndetet kujtesa e identitetit dhe e ardhmja, duke shtuar: “Sepse gjuha është flamuri i një kombi; nëse valëvitet, zemrat qëndrojnë në këmbë, nëse hesht, kujtimet mbeten jetimë”.
Pas fjalimeve, artisti Kirac doli në skenë dhe interpretoi këngët e tij më të njohura.
Burimi: alfax.mk


