AVONET në kuadër të monitorimit të prokurimit publik, ka analizuar dy procedura të zhvilluara në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës dhe Gjilanit. Gjatë këtij monitorimi, në dosjet e ofertimit të një operatori ekonomik janë vërejtur dokumente që ngjallin dyshime të arsyeshme për keqpërdorim dhe falsifikim. Bëhet fjalë për një CV, një kontratë pune dhe një certifikatë diplome, të cilat figurojnë në të dy tenderët pa dijeninë e të dëmtuarit në këto dokumente.
Personi në fjalë, dizajner i diplomuar, pas kërkesës së AVONET-it për konfirmim, ka deklaruar se nuk ka qenë kurrë në marrëdhënie pune me këtë operator ekonomik dhe se nënshkrimi i tij është përdorur pa autorizim. Kjo përbën një indikacion serioz se A.R.F. SHPK ka përdorur dokumente të falsifikuara në proceset e prokurimit publik, duke cenuar integritetin e procedurave dhe konkurrencën e drejtë.
Duke u bazuar në të gjeturat dhe në dyshimin e arsyeshëm për kryerje veprash penale, AVONET ka paraqitur kërkesë zyrtare për fillimin e hetimeve pranë Prokurorisë së Shtetit. Dyshimet e ngritura lidhen me Deklarim i rremë nën betim, Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik, Keqpërdorim i besimit si dhe Falsifikim i dokumenteve, të parashikuara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, AVONET ka kërkuar nga të dy Spitalet që të ndërmarrin veprimet e domosdoshme ligjore për inicimin e procedurave të diskualifikimit pranë Organit Shqyrtues të Prokurimit, konform nenit 99 dhe 65 të Ligjit për Prokurimin Publik.
AVONET mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e integritetit të proceseve të prokurimit publik dhe nxit të gjitha institucionet përgjegjëse që të veprojnë me transparencë, përgjegjësi dhe në frymën e sundimit të ligjit. Ne do të vazhdojmë monitorimin dhe publikimin e rasteve që cenojnë interesin publik dhe besimin e qytetarëve.
Burimi: botasot.info


