Kodi i ri Penal që po shqyrtohet në fazën e konsultimit publik sjell ndryshime të thella që kanë ngritur alarm te juristët dhe akademikët. Drafti i ri parashikon dënime të rënda për një sërë veprash, ku ndër më të spikaturat janë:
Deri në 16 vite burg për bashkëjetesë me të mitur, deri në 10 vite burg për prindërit që e lejojnë këtë bashkëjetesë, burg edhe për martesë të dyfishtë, drejtues automjetesh pa kolaudim apo individë që vendosin tarifa abuzive shërbimesh, rrezikim me burg për ata që publikojnë të dhëna të ndjeshme gjatë hetimeve apo ndikojnë gjykatat me komente publike.
Akademiku Artan Fuga ka ngritur alarmin, duke e konsideruar këtë draft si një përpjekje për të shtypur lirinë e fjalës dhe të medias. Sipas tij, shumë nga nenet e reja mbrojnë më shumë shtetin sesa qytetarin, duke vënë në rrezik të drejtën për informim dhe lirinë e shtypit:
“Në shumë nene më shumë mbrohet shteti se qytetari. Duhet të përcaktohet: ku dallon kritika nga denigrimi? Përndryshe, rrezikohet që të gjithë shoqërisë t’i mbyllet goja,” – thekson Fuga.
Ai kritikon gjithashtu gjuhën jo të qartë të draftit:
“Teksti është i mbushur me metafora poetike dhe prozaike që nuk janë koncepte ligjore. Kjo do të krijojë probleme pafund në zbatim. Thuhet: ‘ndëshkohet përdhosja e kombit’. Çdo gjë mund të quhet përdhosje!”
Një tjetër pikë e nxehtë është mosrakordimi i ligjit me realitetin digjital dhe internetin, ku sipas Fugës, mbetet e paqartë se kush mban përgjegjësi për publikimin e informacioneve: gazetari, pronari i medias apo vetë platforma.
“Jetojmë në kohën e web-it, jo më në kohën e ‘Zërit të Popullit’. Sot çdo publikim anonim mund të dënohet – por kush e mban përgjegjësinë?”
Sipas tij, në vend që të mbrojë drejtësinë, ky kod rrezikon ta shndërrojë gazetarin në armik të saj.
Ndryshimet pritet të kalojnë në Kuvend pas fazës së konsultimit. Reagimet nuk kanë munguar dhe debati sapo ka nisur.
Burimi: botasot.info


