Pamjet satelitore të marra ditët e fundit tregojnë se ushtria izraelite ka shkatërruar pothuajse tërësisht qytetin Khan Younis dhe rrethinat e tij, një zonë prej 90 kilometrash katrorë në jug të Rripit të Gazës.
Dëmet më të rënda janë regjistruar në Bani Suheila dhe Abasan al-Kabira, ku ndërtesat janë rrafshuar totalisht, ndërsa Khuza’a, që ishte dëmtuar në fillim të luftës, tani është zhdukur plotësisht. Sipas dëshmitarëve dhe analizave të imazheve ajrore, pjesa më e madhe e shkatërrimeve është kryer me mjete të rënda ndërtimi si buldozerë, në vend të sulmeve ajrore.
Që nga përfundimi i armëpushimit në mars dhe nisja e operacionit ushtarak izraelit “Chariots of Gideon” në maj, ritmi i shkatërrimeve është përshpejtuar ndjeshëm. Sipas raportimeve, kontraktorë privatë të angazhuar nga ushtria izraelite përfitojnë mijëra shekelë për çdo ndërtesë të rrafshuar.
Në Khan Younis kanë vepruar njësitë elitare të ushtrisë izraelite si Divizioni i 36-të apo Brigada Kfir…
Dy spitalet kryesore të qytetit, Nassar dhe Al-Amal, kanë vazhduar të funksionojnë në kushte ekstreme, por vetëm zonat përreth tyre kanë shpëtuar nga dëmtimi total. Pjesa tjetër e qytetit, përfshirë qendrën dhe lindjen, është thuajse e rrafshuar.
Evakuimi masiv i popullsisë, kryesisht drejt zonës së Muwasit, ka lënë zona të tëra si qytete fantazmë. Sipas banorëve që janë rikthyer për të kërkuar familjarë apo sende personale:
“Kjo nuk është më luftë, është shkatërrim i plotë. Asgjë nuk ka mbetur në Bani Suheila, Khuza’a apo Abasan. Çdo gjë është rrafshuar, qoftë nga bombat, qoftë nga buldozerët.”
Sipas ekspertëve të të dhënave gjeohapësinore, vetëm në qendër të Khan Younis janë shkatërruar rreth 2,200 ndërtesa vetëm pas majit, duke çuar nivelin total të dëmtimit në 74%. Në Rafah, kjo shifër ka arritur 89%, ndërsa në Deir al-Balah është rreth 43%.
Në të gjithë Gazën, vlerësohet se rreth 70% e ndërtesave janë shkatërruar ose dëmtuar rëndë, përfshirë shumicën e godinave publike, rrugëve dhe infrastrukturës.
Sipas OKB-së, rrënojat në Gaza arrijnë në rreth 50 milionë ton, ose 137 kg/m2. Pastrimi i tyre do të kërkojë të paktën 21 vjet.
Burimi: botasot.info


