Lidhja Demokratike e Kosovës ka shënuar rënie të dukshme të votuesve vitet e fundit, ndërsa zgjedhjet e 28 dhjetorit konsiderohen me rënie historike, duke e lënë këtë parti me 15 deputetë nga gjithsej 120 që ka Kuvendi i Kosovës dhe në përqindje 13.23 për qind.
Nga kjo parti kanë filluar deklarime për reflektim, dorëheqje e ndryshim dhe kjo është bërë nga deputetët e kësaj partie.
Kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ka shprehur dorëheqjen e tij në kryesinë e kësaj partie, kurse gjersa pritet vendimi për këtë ai nuk nguron të japë deklarime politike për çështjen e presidentit.
Abdixhiku së fundmi ka kërkuar që të ketë marrëveshje politike rreth zgjedhjes së një presidenti jopartiak.
Politologu Ramadan Gjanaj, thotë se kjo kërkesë duhet parë në kontekstin e zhvillimeve politike të nëntorit dhe jo sot.
Sipas tij, refuzimi i LDK-së për një zgjidhje dhe për ta shfrytëzuar politikisht momentin kanë dobësuar atë ndjeshëm.
“Kjo kërkesë duhet parë edhe në kontekstin e zhvillimeve politike të nëntorit, kur LDK-ja kishte një peshë dukshëm më të madhe në procesin e zgjedhjes së Presidentit sesa sot. Në atë periudhë, shumica parlamentare e udhëhequr nga LVV dhe minoritetet nuk i kishte numrat e nevojshëm për zgjedhjen e Presidentit, madje as në raundin e tretë, ku kërkohen vetëm 61 vota. Propozimi i asaj kohe për një “Qeveri Konjufca”, që vetë Glauk Konjufca e kishte cilësuar si një zgjidhje pragmatike për të shmangur zgjedhje të reja, krijonte një hapësirë reale për opozitën që ta bllokonte LVV-në institucionalisht dhe politikisht. Refuzimi i LDK-së për ta shfrytëzuar politikisht këtë moment e sidomos rezultatet e zgjedhjeve të dhjetorit 2025 këtë moment e ka dobësuar ndjeshëm pozitën e saj sot”, deklaron Gjanaj.

Sipas tij, kërkesa e Abdixhikut është vështirë e zbatueshme.
Kërkesa për një president jopartiak, sipas Gjanajt, në këto kushte, funksionon më shumë si qëndrim politik parimor dhe si tentativë për pozicionim opozitar, sesa si një opsion realisht i arritshëm.
“Realisht, kjo kërkesë është vështirë e zbatueshme në rrethanat aktuale politike. Pas konsolidimit të shumicës parlamentare, LVV nuk ka më nevojë për partitë shqiptare të opozitës as për formimin e institucioneve, as për zgjedhjen e Presidentit. Kjo situatë është pasojë e drejtpërdrejtë e mosshfrytëzimit të momentit politik në nëntor, kur LVV nuk i kishte votat e mjaftueshme për ta zgjedhur Presidentin, madje as në raundin e tretë. Teorikisht, e vetmja rrethanë në të cilën propozimi i Abdixhikut do të mund të bëhej i zbatueshëm do të ishte një rikonfigurim i brendshëm i shumicës qeverisëse, përkatësisht një distancim i LVV-së nga Lista Guxo, prej nga vjen edhe Presidentja aktuale, Vjosa Osmani. Vetëm në një skenar të tillë, LVV do të mund të përballej sërish me mungesë votash dhe të kishte nevojë për mbështetjen e LDK-së. Megjithatë, një zhvillim i tillë mbetet shumë teorik dhe hipotetik, pa sinjale konkrete në realitetin politik aktual. Për rrjedhojë, kërkesa për një president jopartiak, në këto kushte, funksionon më shumë si qëndrim politik parimor dhe si tentativë për pozicionim opozitar, sesa si një opsion realisht i arritshëm”, pohon politologu.
Ky qëndrim i LDK-së, sipas Gjanajt, synon ta pozicionojë atë si forcë institucionale dhe konstruktive.
Por, ai konsideron se ekziston rreziku që ky propozim të perceptohet më shumë si reagim i vonuar ndaj realitetit të ri politik, sesa si iniciativë që realisht mund të ndikojë proceset.
“Ky qëndrim synon ta pozicionojë LDK-në si një forcë institucionale dhe konstruktive, por ai vuan nga mungesa e kapitalit politik që do ta bënte të besueshëm. Gabimet strategjike të së kaluarës, veçanërisht mosshfrytëzimi i momentit kur LVV ishte pa shumicë për zgjedhjen e Presidentit, e kanë dobësuar rolin e LDK-së si faktor vendimmarrës. Si pasojë, rreziku është që ky propozim të perceptohet më shumë si reagim i vonuar ndaj një realiteti të ri politik, sesa si iniciativë që realisht mund të ndikojë proceset”, thekson Gjanaj.
I pyetur nëse LDK do ta përdorë peshën e saj parlamentare si mjet presioni për arritjen e një marrëveshjeje më të gjerë politike për zgjedhjen e presidentit, Gjanaj, thotë kjo do të vlente nëse opozita përshirë LDK-në do ta kishin votuar Qeverinë Konjufca.
Sipas tij, LVV nuk ka nevojë për partitë shqiptare të opozitës, as për formimin e qeverisë e as për zgjedhjen e presidentit.
“Në praktikë, hapësira për një presion të tillë është shumë e kufizuar. Nëse opozita, përfshirë LDK-në, do ta kishte votuar Qeverinë Konjufca duke e ditur se ajo nuk i kishte 61 deputetë për zgjedhjen e Presidentit, LVV do të ishte detyruar të hynte në një proces kompromisi politik ose të përballej me zgjedhje të parakohshme. Një skenar i tillë do ta kishte izoluar politikisht Albin Kurtin dhe do ta kishte vendosur atë drejtpërdrejt përballë faktorit ndërkombëtar, veçanërisht duke pasur parasysh faktin se ai vetë kishte pranuar të merrte detyrën e Ministrit të Punëve të Jashtme. Mosndjekja e kësaj rruge ka sjellë situatën aktuale, ku LVV nuk ka më nevojë për partitë shqiptare të opozitës, as për formimin e qeverisë, as për zgjedhjen e Presidentit”, përfundon politologu.
Burimi: botasot.info


