Të enjten, asamblistët në kuvendet lokale të katër komunave në veri të Kosovës, , Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku, votuan sot për daljen nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.
Sipas procedurës, çdo vendim i miratuar në kuvendin lokal duhet të kalojë edhe përmes Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.
Katër komunat në veri me shumicë të popullsisë serbe iu bashkuan Asociacionit të Komunave të Kosovës në vitin 2023, pasi vendimet për këtë u morën nga asamblistë me shumicë shqiptare në këto komuna, të zgjedhur në zgjedhje që serbët i bojkotuan.
Sipas kryetarëve të këtyre komunave, arsyet e daljes nga Asociacioni është për faktin se anëtarësimi ishte një vendim politik i një partie, e jo vullnet i qytetarëve.
Opinionisti Gani Mehmeti, thotë se nëse Kosova do të ndërhynte në kërkesën e serbëve në veri që të dalin nga AKK, atëherë BE do të deklarohej ashpër.
Në këtë rast, sipas tij BE nuk ndërhyn.
“Çfarë do të thotë BE-ja, sikur Kosova të ndërhyjë në kërkesën e serbëve në veri të Kosovës që të dalin nga Asociacioni i Komunave të Kosovës?
Besoj se do të deklaroheshin ashpër, ndoshta do të shkonin sërish edhe deri tek masat që do të ndërmerrnin ndaj Kosovës.
Po, ku është BE që nuk ndërhyn vetë në këtë rast e të ju përgjigjet se pa niohjen e Pavarësisë së Kosovës, se deri sa ata do të punojnë kundër shtetit në të cilin jetojnë, nuk do të kenë përkrahjen e Bashkimit Europian, se ky veprim i tyre është kundërligjore dhe kundërkushtetuese”, thotë Mehmeti.
Daljen nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, ai nuk e sheh integrim, por dezintegrim të serbëve, gjersa thotë se nëse nuk merren masa ndaj kryetarëve të sapoemëruar ata nuk do të ndalen me kaq.
“Dalja nga Asociacioni i Komunave të Kosovës nuk është integrim, është dezintegrim. Se serbët duan të jetojnë edhe brenda Kosovës por pa njohur shtetësinë e Kosovës, duhet të bashkëjetojnë me shqiptarët, por Vuçiqi përmes Listës Serbe i pengon. Prandaj, Lista Serbe, edhe pse fitoi në zgjedhje, sipas veprimeve të saja kundërkushtetuese, kundërligjore dhe kundër shtetësisë së Kosovës, duhet të shpallet terroriste dhe do duhej të çregjistrohej si parti.
Nëse nuk merren masa ndaj kryetarëve të sapoemëruar të këtyre katër komunave në veri të Kosovës, ata nuk do të ndalen vetëm me kaq. Se çfarë do të ndërmarrin, varet nga ideologu i tyre, Aleksandër Vuçiq, që mbetet të shihet, sepse neve nuk na e merr mendja se çfarë do t’u thotë ai”, pohon opinionisti.

Sipas tij, me kërkesën për dalje nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, shihet se serbët kanë mbetur ata që ishin.
“Serbëve u dhemb se e dinë që nuk janë etnikisht në Kosovë, e janë të ardhur, kryesisht pas viti 1912, mbas pushtimit të Kosovës nga serbët. Këtyre u dhemb këtu tani pse kanë mbetur minoritet dhe se ata nuk janë këtu vendorë, janë të ardhur nga Serbia, prandaj duan të paraqiten si njerëz mbi njerëz.
Nuk është mirë dhe nuk do të duhej të lejoheshin që ata të mbyllen brenda atyre katër komunave, por të integrohen me komunat tjera joserbe, të bashkëpunojnë e të ndihmojnë njëra tjetrën. Kështu, duke bashkëpunuar do të afroheshin dhe do të trajtoheshin të barabartë të gjithë qytetarët e Kosovës, pa u lëshuar në baza etnike. Me kërkesën e tyre për dalje nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, shihet se serbët kanë mbetur ata që ishin, se nuk duan bashkëpunimin me komunat e tjera, e pa qenë anëtare të këtij asociacioni, si do të mund të ndihmoheshin nga komunat tjera. Bashkëpunimi gjithsesi ka edhe rolin e integrimit dhe të afrisë së kombeve ndërmjet vetit, për çka nuk duhet të lejohet zyrtarisht largimi nga asociacioni i komunave të Kosovës. Kjo, të paktën, të mos pranohet nga komunat e tjera, e sa ata do të tregohen bashkëpunues, do të mbetej të shihej më vonë”, thekson Mehmeti.
Në fund, ai shton se nëse nuk duan të jenë në një asociacion me komunat e tjera të Kosovës, me çfarë të drejte kërkojnë asociacion të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Dhe, deri sa këta nuk duan të jenë në një asociacion me komunat e tjera të Kosovës, me çfarë të drejte kërkojnë një Asociacion të Komunave me shumicë serbe në Kosovë? Pastaj, deri sa Asociacioni i Komunave të Kosovës nuk kanë kompetenca ekzekutive, që janë 38 sosh, me çfarë të drejte kërkojnë kompetenca ekzekutive katër komuna?! Kjo edhe vetëm si kërkesë nuk do duhej të bëhej e jo edhe të realizohej. Nuk lejohet mbyllje në veteve, por hapje ndaj të gjithëve, pra edhe anëtare të Asociacionit të Komunave të Kosovës. Asociacioni mes katër komunave me shumicë serbe, do duhej të ishte një mini asociacion, çka do të kuptohej një bashkëpunim edhe mes këtyre katër komunave, por gjithsesi edhe anëtare të Asociacionit të Komunave të Kosovës, sepse veriu i Kosovës është pjesë territoriale e Kosovës dhe nuk do të pranoja ndarje, që simbolikisht do të kuptohej se janë jashtë juridiksionit të Kosovës dhe gradualisht do të afroheshin me Serbinë. Kosova nuk ka më tokë për të falur, është mirë ta dijë secili”, përfundon opinionisti.
Burimi: botasot.info


