Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, ka pritur presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, në një vizitë zyrtare në qytet, duke e cilësuar takimin si një moment të rëndësishëm për forcimin e lidhjeve mes dy vendeve.
“Me shumë kënaqësi e mirëpritëm në Tetovë Presidentin e Shqipërisë, Sh.T. Bajram Begaj”, ka theksuar Kasami.
Ai bëri të ditur se gjatë takimit është biseduar për raportet dypalëshe dhe të ardhmen evropiane të përbashkët.
“Biseduam për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona dhe perspektivën e përbashkët europiane”, u shpreh ai.
Sipas Kasamit, Tetova mbetet një pikë kyçe e bashkëpunimit në disa fusha.
“Tetova gjithmonë ka qenë një urë e rëndësishme bashkëpunimi kulturor, arsimor dhe kombëtar, dhe vizita e Presidentit është dëshmi e vëmendjes që ka Shqipëria ndaj këtij bashkëpunimi”, theksoi kryetari i Tetovës.
Në fund, ai nënvizoi angazhimin për thellimin e mëtejshëm të lidhjeve mes shqiptarëve.
“Do të jemi gjithmonë këtu për të forcuar edhe më shumë lidhjet vëllazërore mes shqiptarëve!”, deklaroi Kasami.
Burimi: alfax.mk


