Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka prezantuar sot një nga projektet më të mëdha infrastrukturore për qytetin – ndërtimin e kanalizimit atmosferik në disa segmente kyçe.
“Sot prezantova projektin e madh të kanalizimit atmosferik që do ta përmirësojë dukshëm infrastrukturën, sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve,” tha Kasami.
Ai njoftoi se investimi kap vlerën e mbi 96 milionë denarëve dhe përfshin:
2,5 kilometra kanalizim atmosferik në tre segmente (Lagjja Jashtë Vardarit, kompleksi Teteks dhe Blloku Urban nr.59), me një kosto prej 52 milionë denarësh.
1,150 metra kanalizim atmosferik në bulevardin VS Bato, investim mbi 25 milionë denarë.
950 metra kolektor në lagjen Dardania, që do të kushtojë 19,5 milionë denarë.
“Pra, gati 5 kilometra infrastrukturë kanalizimi gjithsej, mbi 96 milionë denarë investim në rrjetin e kanalizimit për Tetovën,” theksoi kryetari.
Kasami shtoi se qyteti është në një fazë të re zhvillimi:
“Tetova do të vazhdojë të zhvillohet në çdo segment. Koha e stagnimit ka kaluar. Tetova po transformohet dhe ky zhvillim do të vazhdojë me Kapitullin e Dytë – edhe më shumë, edhe më mirë, edhe më fuqishëm.”
Burimi: alfax.mk


