1
Tetovë, 1 janar – Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, mbrëmë ka realizuar vizita në terren për të shprehur mirënjohje ndaj personelit shëndetësor të Spitalit Klinik të Tetovës dhe punëtorëve të Ndërmarrjes Publike Komunale (NPK), të cilët edhe gjatë natës së ndërrimit të viteve vazhduan shërbimin ndaj qytetarëve.
Fillimisht, Kasami, së bashku me deputeten Kaltrina Beqiri, vizitoi Spitalin Klinik të Tetovës, ku falënderoi drejtuesit e spitalit, mjekët, motrat medicinale dhe gjithë personelin për kujdesin dhe përkushtimin ndaj pacientëve edhe në natën më festive të vitit. Ai theksoi se stafi shëndetësor është gjithmonë pranë qytetarëve, si në ditë feste ashtu edhe në përditshmëri.
“Personeli shëndetësor është gjithmonë pranë qytetarëve. Uroj që kjo natë të kalojë e qetë, pa incidente, dhe të festojmë në mënyrë paqësore dhe me dinjitet,” deklaroi Kasami.
Më pas, kryetari i komunës, së bashku me drejtorin e NPK-së, Samet Bislimi, ka qenë në terren për të falënderuar punëtorët e ndërmarrjes publike, të cilët edhe gjatë natës së ndërrimit të moteve po kujdesen për pastërtinë e qytetit të Tetovës. Ai theksoi se, ndërkohë që qytetarët festojnë në ambiente të ndryshme, këta punëtorë vazhdojnë punën për pastrimin e rrugëve dhe ruajtjen e pastërtisë së qytetit.
“Angazhimi dhe puna e tyre është e madhe, prandaj obligimi ynë është që edhe ne të japim kontributin tonë për të mbajtur Tetovën të pastër,” u shpreh Kasami.
Veç dy aktiviteteve në fjalë kreu i Tetovës ka takuar edhe policët që gjatë natës së ndrrimit të moteve kanë qeë në terren dhe janë kujdesur për sigurinë.


