1
Shkup, 23 gusht – Gjatë fushatës zgjedhore qytetarët nuk duhet të habiten edhe nëse dëgjojnë se dikush do t’i dërgojë në mars! Tani gjithçka është e mundur. Tani është e mundur edhe ndërtesa si Stambolli, Nju Jorku, Nju Meksiko, Londra apo Berlini. Qytetarët kanë pasur lloj lloj vizatimesh, planesh 3D e video në të kaluarën, por fatkeqësisht të gjitha kanë mbetur vetëm imagjinata, shkruan “Zhurnal.mk”.
Edhe pse ende zyrtarisht s’ka filluar fushata zgjedhore, kandidatët për kryetar komune kanë filluar të përdorin imagjinatën me laramani projektesh. Më shumë ëndrra tani shihen ditën se sa natën, sepse populli duhet t’iu besoj këtyre ëndrrave. Gjithçka është e mundur, gjithçka është e kapshme e gjithçka është e arritshme me llafet e politikanëve.
Qytetarët vetëm një gjë duhet ta mendojnë mirë. Sa të realizueshme janë gjithë këto premtime në një shtet që e dimë se si funksionon. Në një shtet që e dimë se asgjë nuk varet vetëm nga kryetari i komunës, por duhet aprovime nga pushteti qëndror, duhet leje ndërtimi, duhet buxhet, duhet që qeveria të kyçet direkt në projekte nëse duhet të kemi sukses.
Premtimet se do bëhet kjo e ajo, janë shumë të dyshimta nëse nuk ka një koordinim të me interes dhe të mirëfilltë midis partive politike. Kryesimi i qytetit të Shkupit nga Danela Arsovska, që u prish me të gjithë në të kaluarën, është dëshmia më e mirë se asgjë nuk bëhet në këtë shtet me “kokën në mur”. Gjithmonë ka dikush që e prish rehatinë, qoftë ndonjë këshilltarë, qoftë ndonjë ministër ose ndonjë parti politike. Pra Arsovska ishte vazhdimisht e bllokuar dhe nuk bëri asgjë. Edhe kur deshi me instruksione të ndryshme të bëjë diçka, nu kia arriti, sepse i tillë dhe i komplikuar është sistemi në këtë shtet. Gjithkush të duhet për gjithçka!, shkruan “Zhurnal.mk”.
Në prag të zgjedhjeve po dëgjojmë masterplane për zhvillim marramendës të komunave, transparencë, kalendar me aktivitete, ndërtime rrugësh, ndërtime ujësjellësi, ndërtime të kanalizimeve, dhurata për student, dhurata për nxënës, dhurata për çiftet e reja, lehtësime për pleq, lehtësime për fëmijë, lehtësime për familje me nevoja sociale…. Por, nëse ndalet qytetari dhe mendon vetëm për disa sekonda, këto probleme nuk kanë lindur sot. Këto probleme i ka ky shtet që kur u ka pavarësuar, por edhe më parë, vetëm se tani në zgjedhje iu kujtohet politikanëve që tua rikujtojnë këto probleme votuesve.
Fatkeqësisht ende shumë fshatra janë pa ujë, ende shumë lagje në kryeqytet kanë presion të dobët të ujit, ende kanë probleme me rrymë e mos të flasim se nëpër sa gropa duhet të kalojnë ata çdo ditë me veturat e tyre.
Qytetarët çdo ditë i shikojnë kontejnerët e stërmbushur, çdo ditë ballafaqohen me mbeturina nëpër rrugë, parqet e pa rregulluara, stolat e pa mirëmbajtur dhe lodrat për fëmijë të dëmtuara.
Kandidatët për kryetar komune mos të premtojnë shkuarje në hënë, por të premtojnë zgjidhje të problemeve reale. Të premtojnë vetëm atë që mund ta realizojnë. Mos të mendojnë se do arrijnë të manipulojnë më popullatën, sepse ky popull ka parë mjaftueshëm, ky popull ka shkuar në Evropë dhe ka parë çfarë është zhvillim, ky popull e di çfarë është pastërtia, çafër është rendi në komunikacion e çfarë është përparimi. Gjithsecili që do të mundohet të “shet kopalla” nuk do fitojë asgjë në zgjedhje!, shkruan “Zhurnal.mk”
Burimi: zhurnal.mk


