Banorët e lagjes Ymridin Qengaj në Tuzsuz të Prizrenit kanë ngritur shqetësimin e tyre pas ndërrimit të një shtylle elektrike rreth një muaj më parë. Sipas tyre, ekipet e kompanisë së energjisë kanë vendosur shtyllën e re, por kanë lënë kabllot e vjetra të shtrira në tokë, pa i larguar.
Banori i lagjes, Shani Rashkaj, i cili jeton në këtë zonë prej 35 vitesh, tha se një situatë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë më parë. Ai theksoi se ka njoftuar policinë dhe kompaninë e energjisë për këtë problem, por deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim për largimin e kabllove.
Banorët shprehen se kabllot e lëna në tokë përbëjnë rrezik serioz për sigurinë e qytetarëve, veçanërisht për fëmijët, prandaj kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme të kompetentëve.
Po ashtu, ata thanë se tash e rreth dhjetë ditë po përballen me ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike në lagje. Pavarësisht njoftimeve nga zyrtarët se defektet janë rregulluar, furnizimi me energji vazhdon të ndërpritet dhe, sipas banorëve, ndërprerjet shpesh zgjasin me orë të tëra.
Banorët kërkojnë që problemi të zgjidhet sa më shpejt dhe infrastruktura elektrike në lagje të bëhet më e sigurt dhe më funksionale.
Burimi: botasot.info


