Në SHFMU “Emin Duraku” në Shtime, sot janë përuruar kabinetet e reja të biologjisë, kimisë, fizikës, matematikës dhe gjeografisë, tërësisht të pajisura sipas standardeve bashkëkohore, duke krijuar kushte ideale për një proces mësimor modern dhe interaktiv.
Në përurimin e këtyre kabineteve morën pjesë Kryetari i Komunës së Shtimes, Dr. Qemajl Aliu, përfaqësuesi i IOM-it, shefi i Zyrës së Arsimit në Shtime, Lulzim Sahiti, drejtori i shkollës, Enver Dugolli dhe zyrtarët Muhamet Mehmeti e Tringa Xhelili.
Në këtë rast, kryetari Dr.Qemajl Aliu, tha se këto investime janë dëshmi e përkushtimit për ngritjen e cilësisë në arsim dhe krijimin e kushteve të reja që motivojnë të rinjtë.
“Shkollat tona tani janë më të pasura me hapësira që jo vetëm që nxisin kureshtjen shkencore, por edhe zhvillojnë të menduarit kritik tek nxënësit tanë. Përmes këtyre kabineteve moderne, ne po e sjellim më afër realitetit botën e shkencës për nxënësit e shkollave.
Investimi në arsim është investimi më i rëndësishëm për të ardhmen e fëmijëve tanë”, tha kryetari Aliu.
Ky projekt u realizua me mbështetjen e Bashkimit Evropian, përmes Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), në partneritet me Zyrën për Komunitete dhe Kthim, Drejtorinë e Arsimit dhe me bashkëfinancim nga Komuna e Shtimes në vlerë prej 12 mijë euro.
Burimi: botasot.info