Jimmy Kimmel po punon me Disney dhe ABC për të rikthyer shfaqjen e tij të orëve të vona, pas pezullimit për një kohë të pacaktuar për komentet e tij mbi Charlie Kirk, sipas burimeve të brendshme.
Tre burime thanë për Variety se po bëhen kompromise që Jimmy Kimmel Live! të kthehet në televizion, por kushtet e rikthimit ende nuk janë të qarta.
Pezullimi erdhi pas presionit nga Sinclair dhe Nexstar, stacione bashkëpunëtore të ABC-së, si dhe komentet e Kryetarit të FCC-së, Brendan Carr, që kërcënoi me veprime kundër transmetimeve, shkruan DailyMail.
Disney njoftoi se shfaqja do të pezullohej ‘për një kohë të pacaktuar’, gjë që shkaktoi debate mbi lirinë e fjalës dhe mbrojtjen e monologëve politikë në televizion.
Burimet thonë se Kimmel ishte i vetëdijshëm për ndikimin e pezullimit mbi ekuipazhin e tij prej rreth 200 personash, të cilët do të vazhdojnë të paguhen deri javën tjetër, por e ardhmja e tyre mbetet e pasigurt.
Polemika filloi kur Kimmel komentoi në monologun e tij hapës vrasjen e Charlie Kirk dhe u përqendrua në Tyler Robinson, të dyshuarin për krim, duke kritikuar mënyrën se si banda MAGA e përdori situatën për fitime politike.
Kolegët e Kimmel, përfshirë Stephen Colbert, Jon Stewart, Jimmy Fallon dhe Seth Meyers, shprehën mbështetje të hapur për të gjatë monologëve të tyre në ditët pas pezullimit.
Ndërkohë, konservatorët, përfshirë presidentin Trump, përgëzuan ABC-në dhe e lavdëruan pezullimin, duke e quajtur Kimmel “të pa aftë” dhe duke kritikuar shfaqjet e tij si “Fake News”.
Burimi: botasot.info


