Mbreti Çarls ka deklaruar se është “i tmerruar dhe thellësisht i trishtuar nga sulmi më i tmerrshëm terrorist antisemit ndaj popullit hebre”, pas sulmit të ndodhur gjatë festëa në Australi.
Të paktën 12 persona u vranë dhe 29 të tjerë u dërguan në spital pas të shtënave në plazhin Bondi të dielën, bëri të ditur policia.
Në reagimin e tij, Mbreti Çarls tha se zemrat e tij dhe të Mbretëreshës Camilla “janë me të gjithë ata që janë prekur kaq rëndë nga kjo tragjedi”. Ai vlerësoi gjithashtu shpirtin e komunitetit dhe dashurisë që shkëlqen fort në Australi, duke shtuar se drita e festivalit Hanukkah do të triumfojë gjithmonë mbi errësirën e një të keqeje të tillë.
Mes viktimave ishte edhe Rabini Eli Schlanger, një rabin i lindur në Britani, çka është konfirmuar nga familja e tij. Babai 41-vjeçar i pesë fëmijëve u përshkrua nga kushëriri i tij, rabini Zalman Lewis, si “i gjallë, energjik, plot jetë dhe jashtëzakonisht i ngrohtë dhe shoqërues”.
Duke folur për BBC-në, Lewis u bëri thirrje njerëzve të “përhapin dritë” përmes akteve bamirëse në emër të Rabinit Schlanger.
“Çdo qenie njerëzore ka një mënyrë pozitive për të kontribuar që bota të bëhet një vend më i mirë. Ne duhet të vazhdojmë të përhapim dritë dhe ta tregojmë këtë,” tha ai.
Edhe Princi dhe Princesha e Uellsit shprehën ngushëllimet e tyre, duke thënë se mendimet e tyre janë me popullin australian dhe me familjet e viktimave, si dhe duke shprehur solidaritet me komunitetin hebre.
Policia Metropolitane në Londër ka konfirmuar se po rrit praninë policore përmes patrullimeve shtesë dhe angazhimit të drejtpërdrejtë me komunitetin hebre. “
Është një realitet i tmerrshëm që komunitetet hebraike në mbarë botën vazhdojnë të përballen me kërcënime të shtuara,” thuhet në deklaratën e policisë.
Ngjarja vjen vetëm disa muaj pasi, në tetor, dy persona u vranë në një sulm në një sinagogë në Mançester gjatë Yom Kippur-it, dita më e shenjtë e kalendarit hebraik.
Këshilli i Lidershipit Hebraik (JLC) i Mbretërisë së Bashkuar i ka bërë thirrje qeverisë dhe policisë të garantojnë sigurinë e ngjarjeve të Hanukkah, e cila nis sonte dhe zgjat tetë ditë. “Nuk duhet ta lejojmë urrejtjen të shuajë festivalin e dritës,” thuhet në deklaratën e JLC-së.
Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Londrës, Sadiq Khan, njoftoi rritje të dukshmërisë policore në komunitetet hebraike, ndërsa autoritetet në Skoci kanë nisur patrullime shtesë pranë sinagogave dhe objekteve hebraike.
Sekretarja e Jashtme, Yvette Cooper, u ka bërë thirrje çdo shtetasi britanik të përfshirë ose të prekur nga ngjarja në Australi të kontaktojë konsullatën britanike në Sidnei për mbështetje.
Top Channel
Burimi: top channel


