Ushtria izraelite i ka paralajmëruar shtetasit e vet për “më shumë javë” luftë kundër Iranit dhe Hezbollahut – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi tjera.
“Shtetas të Izraelit, ne përballemi me më shumë javë luftime kundër Iranit dhe Hezbollahut”, ka thënë zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Effie Defrin në disa deklarime televizive më 22 mars.
“Çdo ditë që kalon, ne jemi më afër dobësimit të regjimit terrorist [në Teheran]. Ne nuk do të lejojmë atë apo degëzimet e tij të kërcënojnë qytetarët tanë të Izraelit, apo ekzistencën e shtetit të Izraelit”, ka thënë Defrin, duke shtuar se fushata tokësore kundër Hezbollahut në Liban do të intensifikohet në javët në vijim.
“Operacioni kundër organizatës terroriste të Hezbollahut tashmë ka nisur… ky është operacion më i gjatë”, ka thënë gjenerallejtënant, Eyal Zamir përmes një deklarate.
Ndërkaq, presidenti amerikan, Donald Trump u ka kërkuar shteteve që e shfrytëzojnë Ngushticën e Hormuzit për të transportuar burime të energjisë, që ta sigurojnë transportin në atë zonë. Ai është shprehur edhe i zemëruar pse shumë shtete kanë hezituar t’i angazhojnë ushtritë e tyre.
Burimi: opinion.al


