Çairin nga një lagje të cilën janë munduar ta izolojnë e ta shndërrojnë në geto, ne e kemi kthyer në një komunë studenti. Kështu është shprehur zëvendëskryeministri i parë dhe kandidati i VLEN-it për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, përmes një video paraqitjeje në faqen e tij zyrtare. Mexhiti gjithashtu ka përmendur edhe transformimin historik që ka përjetuar Çairi nën vizionin e tij politik, duke nënvizuar se kjo është bërë falë pozicionit strategjik të komunës, e cila kufizohet me katër universitete, “Kirili dhe Metodi”, UEJL, Universitetin Ballkanik dhe Universitetin “Nënë Tereza”.
“Çairin nga një lagje, që janë munduar ta izolojnë, ta shndërrojnë në geto, ne e kemi kthyer në qytet studenti për shkak se Çairi kufizohet me katër universitetet, universitetin “Kirili dhe Metodi”, UEJL-në, universitetin Ballkanik dhe universitetin “Nënë Tereza” ku qeveria e tanishme ka ndarë 40 milion euro për ndërtimin e kampusit universitar, me të gjitha nishanet, me të gjitha nevojat, me amfiteatër, me pjesë përcjellëse, me pishina, me salla, krejt kjo në funksion të rinisë shqiptare dhe fillimisht Çair/Shkup dhe gjithandej,” ka thënë Mexhiti.
Ky kampus, sipas Mexhitit, do të përmbajë të gjitha standardet e kohës, amfiteatër, hapësira përcjellëse, pishina dhe salla funksionale dhe do të jetë në shërbim të rinisë shqiptare, duke e kthyer Çairin e Shkupin në epiqendër të zhvillimit arsimor e kulturor.
“Se sa është i rëndësishëm investimi në arsim apo prezenca e studentëve në komunën tonë, mund ta them me plotë përgjegjësi që faktori kryesor për ringjalljen e Çarshisë së Vjetër para 10-12 vjetësh kanë qenë studimet e disperzuara të universitetit të Tetovës, i vendosëm studentët në objektin e De Kokës dhe ata filluan në mënyrë avangarde të ndryshojnë ambientin dhe atmosferën në Çarshinë e Vjetër dhe sot Çarshia e Vjetër është rikthyer në një Çarshi atraktive, Çarshi e cila frekuentohet nga mëngjesi e deri në orët e vona,” ka deklaruar Mexhiti.
Zëvendëskryeministri i parë dhe kandidat i VLEN-it për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti gjithashtu ka theksuar se i njëjti potencial sot po i jep Çairit një dimension të ri, atë të komunës moderne, rinore dhe universale, e cila po rikthehet fuqishëm në zemër të Shkupit si qendër e shqiptarëve dhe e të rinjve që ndërtojnë të ardhmen.


