Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka akuzuar ashpër BDI-në për manipulim të qëllimshëm të të dhënave të regjistrimit të popullsisë në vitin 2021, duke i fshirë shqiptarët nga evidencat zyrtare për qëllime politike.
Në një reagim publik, Mexhiti tha se BDI gjatë kohës kur kryhej regjistrimi, “nuk merrej me interesat e shqiptarëve, por me operacione pasurimi”, ndërsa tani, sipas tij, përpiqet ta mbulojë këtë tradhti me “patriotizëm të rrejshëm në Facebook”.
Ai solli në vëmendje shembuj konkretë nga rrethi i Strugës, ku sipas tij, shifrat e votuesve në zgjedhjet e vitit 2024 dëshmojnë për manipulime të thella në regjistrim:
Në fshatin Ladorisht, janë regjistruar 1.344 persona mbi moshën 18 vjeç, ndërsa në zgjedhje kanë votuar 2.397 – mbi 1.000 më shumë.
Në fshatin Veleshtë, janë regjistruar 2.196 të rritur, ndërsa votuan 2.377 persona – afro 200 më tepër.
Në fshatin Livadhi, gjithashtu është evidentuar një numër më i madh votuesish sesa banorë të regjistruar.
“Vetëm në këto tri fshatra, nga regjistrimi janë ‘harruar’ mbi 5.000 shqiptarë. Ky nuk është gabim teknik, por tradhti e qëllimshme,” deklaroi Mexhiti, duke theksuar se politikat e BDI-së jo vetëm që kanë shpërngulur qindra mijëra shqiptarë jashtë vendit, por kanë fshirë edhe ata që kanë mbetur në atdhe.
Zëvendëskryeministri paralajmëroi se numri i përgjithshëm i shqiptarëve të fshirë nga regjistrimi në nivel republike është edhe më i madh dhe se kjo e vërtetë do të zbulohet në ditët në vijim.
“Koha e mashtrimeve ka përfunduar. Koha për përgjegjësi për tradhtitë kombëtare ka ardhur dhe përgjegjësi do të ketë!” përfundoi ai.


