Furgoni që shihni në foto është ai i sekuestruar ditën e sotme në zonën e Myslym Shyrit ku si ngarkesë kishte 23 armë zjarri të llojeve të ndryshme, nga ato të thjeshta e deri tek më të sofistikuarat.
Automjeti ishte i kamufluar me mbishkrimin ‘mirëmbajtje rrugore’ dhe me logon e një kompanie të njohur që asiston mirëmbajtjen e disa akseve kryesore në vend dhe shenjat dalluese për këtë shërbim. Në pranga ra Eugert Sino 34 vjeç ndërsa 2 persona të tjerë janë shpallur në kërkim. Identitetet e këtyre dy të fundit nuk janë bërë me dije për shkak të procesit hetimor.
Konkretisht brenda në automjet u gjetën dhe u sekuestruan 12 pistoleta të llojeve “Beretta”, “Glock”, “Rex Delta”, “Ruger-57” dhe “Tanfoglio”; 6 armë automatike; 5 armë me tytë të gjatë (me shënjestër optike, të ngjashme me snajper); 1 silenciator; 17 krehra për armë zjarri të ndryshme; pjesë të ndryshme armësh zjarri; 15 000 fishekë; 17 kuti me pranga të ngjashme me ato që përdoren nga Policia; 12 celularë dhe pajisje që përdoren për shpërthime në distancë; pajisje elektronike gjurmuese (GPS); pajisje për bllokimin e valëve; pajisje për numërimin e kartëmonedhave; 3 komplete uniformash të ngjashme me ato të Policisë.
Burime për media njoftuan sot se këto armë kishin si destinacion final grupet kriminale me baza në Tiranë, Laç dhe Burrel. Gjithashtu autoritete sot arritën të zbulonin dhe magazinën e këtyre armëve e ndodhur në afërsi të vendit ku ndodhi dhe bastisja.
Hetimet lidhur me këtë ngjarje po vijojnë. Deri më tani dyshohet se arsenali është futur nga Kosova si dhe po punohet për identifikimin e plotë të personave të përfshirë në këtë rrjet kriminal.
Burimi: botasot.info


