Reshjet e ditëve të fundit kanë shkaktuar vërshime të mëdha në disa lagje të Gjakovës, duke lënë pas dëme të konsiderueshme në shtëpi, pajisje dhe infrastrukturë. Qytetarët tregojnë për përvojat e vështira që kanë kaluar, duke kërkuar më shumë kujdes nga institucionet.
Muhamet Duraku, banor i lagjes më të prekur tregon se mëngjesi i asaj dite i ka gjetur të shokuar.
Duraku: Ajo ditë ka qenë ditë kijameti
“Atë ditë ka qenë ditë kijameti. Në lagjen tonë ka qenë katastrofë. Kur jemi zgjuar në mëngjes, kemi gjetë vetëm urën – s’ka ekzistu tjetër gjë prej ujit që është rrit. Rreth 15 shtëpi janë përmbytë dhe janë kthyer kanalizimet. Ishte ditë shumë e vështirë, sidomos për ata që jetojnë afër lumit. Dëmet janë shumë të mëdha të atyre”, tha ai.
Një tjetër banor Bekim Qava tregon se uji ka depërtuar herët në mëngjes:
Qava: Kemi heq ujin, por prapë hyke
“Ka qenë ora 04:30 – 05:00 kur na ka hy uji në podrum. Jena çu krejt për me e hek ujin e me i largu sendet që kanë qenë brena. Kauqa, tepihë, gjithçka është lag. Kemi heq sene, por prapë hyke uji.”, tha ai, duke shtuar se askush nuk ka ardhur as t’i pyes e as t’i ndihmojë.
Një banor tjetërAgim Qava thotë se edhe pse shtëpitë e tyre nuk u përmbytën, problem mbetet infrastruktura:
Qava: Nuk kemi kanalizim të mirë – problemi vazhdon prej vitesh
“Neve vërshime nuk na kanë bo shumë, por prapë kemi kalu me vështirësi. Këtu nuk ka kanalizime të mira dhe as ujë s’kemi. Kanalizimi në vend se me qenë në rrugën kryesore, është në një rrugë tjetër. S’na kanë pru as ujë, as kanalizim. Nuk është kanalizimi qysh duhet – me gypa të vogla që i kemi bo vetë qysh moti. Për këtë arsye na marrin vërshimet.”, tha ai.
Sipas tij, kjo është hera e tretë që i ka hy uji nëpër shtëpi.
Një qytetar i moshuar Sadik Isufi që jeton afër prrockës Llokafc tregon përjetimin më të rëndë që ka pësuar ndonjëherë:
Isufi: Në 50 vite jetësim këtu, nuk kam parë nivel uji kaq të lartë
“I kam përjetu tmerrshëm. Jetoj këtu 50 vite dhe kurrë nuk kam pa nivel të ujit kaq të lartë. Kemi pas probleme edhe më herët më vërshime meqenëse jetojmë afër këtij përronit të quajtur Llukavc, por kësaj here niveli ka qenë jashtëzakonisht i madh. Problemin e shoh në dy segmente: moskujdesi i qytetarëve ndaj lumejve dhe mungesa e ndërhyrjeve të shtetit. Shpresoj që autoritetet ta shohin të nevojshme rregullimin e shtratit të lumenjve në mënyrë që mos t’i ndodh qytetarëve diçka e tillë e tmerrshme”, tha ai.
Ai thotë se familja e tij ka pësuar dëme të mëdha:
Isufi: Vlera e dëmitu është rreth 10 mijë euro
“Si familje kemi pësuar shumë. Të gjitha aparaturat e shtëpisë janë përmbytë: lavatriqe, enëlarëse, mobiljet, dyshekët, dhoma e fjetjes etj,….ne presim, mesiguri do të krijohet ndonjë komision nga drejtoria e emergjencave ose nga shteti, përndryshe gjendja është katastrofë. Me parë podrumin në çfarë gjendje është vetëm në filmat horrorr mund ta shiheni një pamje të tillë.. nuk kamë bërë ndonjë llogari por mund të jetë deri në 10 mijë euro, për standardin që jetojmë është e pakapshme një shumë e tillë.”, tha ai.
Burimi: botasot.info


