1
Shkup, 4 korrik – Të shtunën, më 5 korrik, në ora 13:00, në ambientet e Teatrit Shqiptar në Shkup do të mbahet themelimi zyrtar i Lëvizjes “ARBËRIA”, një nismë qytetare që synon të sjellë një frymë të re në skenën publike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Ideatori i kësaj lëvizjeje, Orhan Ibrahimi, përmes një njoftimi publik u shpreh se “ARBËRIA” nuk është një parti politike, por një vetëdije e re, një reagim ndaj zhgënjimeve të akumuluara politike dhe një thirrje për bashkim dhe veprim të ndershëm.
“Shqiptarët nuk kanë më nevojë për pronarë të kauzave, por për një organizim të lirë që lind nga shqiptarët dhe punon për shqiptarët,” thekson Ibrahimi.
Lëvizja “ARBËRIA” paraqitet si një platformë e shpresës, rezistencës dhe bashkimit ndër breza – një vendtakim për ata që nuk dorëzohen përballë padrejtësive dhe manipulimeve politike.
Kjo iniciativë vjen në një kohë të ndjeshme për shoqërinë shqiptare në vend, e cila kërkon alternativa të reja dhe autentike për përfaqësim dhe angazhim qytetar.
“Bëhu shpresë. Bëhu pjesë e ARBËRISË!” – përfundon thirrja publike e organizatorëve.
Burimi: zhurnal.mk