Poliklinika e Haraçinës është rihapur sot zyrtarisht pas një procesi të plotë renovimi, duke krijuar kushte më të mira pune për stafin mjekësor dhe shërbime më cilësore për qytetarët e kësaj komune.
Drejtori i Instituti i Shëndetit Publik – Shkup, Samir Iseni, në njoftimin e tij theksoi rëndësinë e këtij investimi për shëndetin publik lokal.
“Sot kishim nderin të bëjmë rihapjen solemne të poliklinikës së Haraçinës, e cila ishte në fazë renovimi në këta muajt e fundit. Ky renovim i kompletuar do të na mundësojë kushte më adekuate dhe më të mira për punë, në mënyrë që të ofrojmë shërbime më funksionale dhe më cilësore për qytetarët e komunës së Haraçinës”, tha drejtori Samir Iseni.
Iseni shprehu mirënjohje të veçantë për organizatat humanitare që kontribuuan në realizimin e këtij projekti.
“Shprehim falënderimet tona të sinqerta për Shoqatën ‘Islamic Relief Kosova’, të përfaqësuar nga Dr. Mohamed Soliman, si dhe për Shoqatën Humanitare ‘Kalliri i Mirësisë’, të përfaqësuar nga drejtori Nexhat Lika dhe sekretari Abedin Arifi”, theksoi Iseni.
Sipas njoftimit, përveç renovimit të poliklinikës së Haraçinës, këto dy shoqata realizuan edhe donacione shtesë me pajisje mjekësore. “Është dhuruar një karrige stomatologjike për shërbime më cilësore në Preventivën Stomatologjike për fëmijë në poliklinikën e Hasanbegut, si dhe një aparat manuel transportues për EHO të organeve të brendshme, i cili do të shërbejë në kuadër të Ndihmës së Shpejtë”, bëri të ditur Iseni.
Në fund, drejtori i Institutit falënderoi edhe përfaqësuesit e pushtetit lokal për bashkëpunimin institucional.
“Një falënderim të veçantë shprehim për kryetarin aktual të Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri, si dhe për ish-kryetarin Ridvan Ibrahimi, për angazhimin e tyre të vazhdueshëm në interes të banorëve të kësaj zone”, thuhet në njoftim.
Ai theksoi se Shtëpia e Shëndetit Shkup dhe Instituti i Shëndetit Publik do të vazhdojnë edhe në të ardhmen angazhimin për përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore dhe bashkëpunimin me komunat dhe organizatat humanitare, me qëllim forcimin e shërbimeve të shëndetit publik.
Burimi: alfax.mk

