Zëvendëskryeministri i parë dhe kandidat i VLEN-it për kryetar të komunës së Çairit, Izet Mexhiti, vizitoi sot rrugën “Bajram Shabani” në lagjen Gazi Babë, ku pa nga afër punimet që po përmirësojnë furnizimin me ujë të pijshëm për banorët e kësaj lagje.
“Ky projekt, me vlerë mbi 6 milionë denarë, përfshin ndërtimin e një gypi të ri me profil DN 280 mm dhe gjatësi 235 metra, duke zëvendësuar rrjetin ekzistues. Me këtë ndërhyrje eliminohen ndërprerjet e shpeshta dhe furnizimi i pamjaftueshëm, duke garantuar ujë të pastër dhe presion të përmirësuar përgjatë gjithë rrugës. Realizimi i projektit është në bashkëpunim mes Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe Komunës së Çairit, duke siguruar qasje të vazhdueshme për çdo banor,” ka shkruar Mexhiti.
Sipas Mexhitit ky është vetëm një nga projektet konkrete që dëshmojnë përkushtimin e tij ndaj përmirësimit të jetës së qytetarëve të Çairit dhe premtoi se ai dhe ekipi i tij do të vazhdojnë punën për zhvillim të qëndrueshëm dhe investime në infrastrukturë.


