Nga 12 deri më 16 janar, me mbështetjen e Departamentit të Drejtësisë së ShBA-së, Programit Ndërkombëtar për Asistencë në Trajnimin e Hetimeve Penale (DOJ-ICITAP), në partneritet dhe me trajnim të udhëhequr nga Administrata Amerikane për Zbatimin e Ligjit kundër Drogës (DEA), përfaqësues nga Policia e Kosovës, Agjencia e Forenzikës së Kosovës, Dogana e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, përfunduan një program të fokusuar në zhvillimin dhe hartimin e kurrikulës.
Sipas njoftimit të policisë, kursi i udhëhequr nga katër ekspertë të fushës të DEA-s, forcoi aftësitë e pjesëmarrësve për të hartuar dhe për të realizuar trajnime efektive dhe bashkëkohore, transmeton Klankosova.tv.
Bëhet e ditur se temat e trajtuara përfshijnë parimet e të mësuarit për të rritur integrimin e informacioneve mbi trendët aktualë të drogave, zhvillimin e skenarëve të sigurt dhe në përputhje me politikat, teknikat e orientuara nga studenti, si dhe komunikimin efektiv përmes përdorimit të mjeteve trajnuese.
“Pjesëmarrësit i aplikuan këto aftësi përmes ushtrimeve praktike, gjatë të cilave hartuan dhe prezantuan module instruktive, duke demonstruar përmirësime të menjëhershme në vetëbesim, zhvillim të kurrikulës dhe aftësi instruktive”, thuhet në njoftim.
Ky trajnim, policia thotë se pasqyron bashkëpunimin e fuqishëm ndërmjet institucioneve të zbatimit të ligjit dhe sigurisë në Kosovë, ICITAP-it, DEA-s dhe partnerëve të Qeverisë së ShBA-së dhe mbështet përpjekjet e vazhdueshme të Kosovës për ndërtimin e institucioneve profesionale dhe të afta, të përkushtuara për një të ardhme më të sigurt dhe më të qëndrueshme.
Burimi: botasot.info


