Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se gjatë pesëvjeçarit të fundit të ardhurat e disponueshme të qytetarëve shqiptarë janë rritur me mbi 80%, duke dëshmuar përfitimet reale të rritjes ekonomike për familjet shqiptare.
Në fjalën e saj në takimin e zgjeruar të Grupit Parlamentar Socialist, ministrja Ibrahimaj theksoi se, ndryshe nga pohimet e skeptikëve, rritja e të ardhurave nuk është vetëm një rezultat i forcimit të lekut apo reduktimit të euros.
Sipas analizave, euro ka rënë me 20%, ndërsa të ardhurat janë rritur me 80%, duke treguar se fuqia blerëse e qytetarëve është rritur ndjeshëm.
“Inflacioni ka qenë më stabël se kurrë gjatë viteve të fundit, brenda normave të Bankës së Shqipërisë, edhe në kushtet e krizës globale. Të dhënat tregojnë qartë se pagat janë rritur me rreth 30%, pensionet me 32%, të ardhurat nga remitancat dhe tatimi mbi të ardhurat me mbi 26%. Të gjithë treguesit e të ardhurave të familjeve shqiptare janë në rritje”, deklaroi ministrja Ibrahimaj.
Ministrja theksoi se ndryshimi i strukturës së ekonomisë shqiptare mbetet një prioritet, duke u fokusuar tek investimet, eksportet dhe produktiviteti. “Ne duhet të bëjmë të mundur që ekonomia shqiptare të shfrytëzojë turizmin dhe shërbimet e lidhura për të rritur prodhimin vendas dhe për të forcuar stabilitetin ekonomik,” shtoi ajo.
Ministrja Ibrahimaj nënvizoi rëndësinë e një strukture ekonomike të balancuar, që fokusohet në investime, eksporte dhe produktivitet, duke përdorur sektorin e shërbimeve dhe turizmit si motor për rritjen e prodhimit vendas dhe për përfitimin maksimal nga tregu europian me 450 milionë banorë.
Strategjia, theksoi ministrja, synon që çdo sipërmarrje shqiptare të operojë në kushte të barabarta me sipërmarrjet europiane, duke siguruar stabilitet dhe mundësi reale për zgjerim.
“Detyra jonë është të garantojmë që ky cikël i rritjes ekonomike të jetë i qëndrueshëm, të mbështesë bizneset dhe të përmirësojë jetën e çdo qytetari shqiptar. Investimet, qarkullimi i bizneseve dhe të ardhurat e familjeve janë treguesit kryesorë që tregojnë se ekonomia shqiptare po ecën në rrugën e duhur”, u shpreh ministrja Ibrahimaj.
Ministrja nënvizoi se ky zhvillim i qëndrueshëm tregon qartë se Shqipëria është në rrugën drejt stabilitetit ekonomik dhe integrimit europian, duke krijuar mundësi të reja punësimi, investimi dhe rritjeje për të gjithë qytetarët dhe bizneset shqiptare.
Burimi: botasot.info


