Në moshën 25-vjeçare, Izeti i mbijetoi një aksidenti të papërfytyrueshëm. Automjeti ku ai udhëtonte si pasagjer, u përplas nga një tren dhe Izeti përfundoi nën vagonë. Nga ajo ngjarje, ai humbi katër gjymtyrët, por asnjëherë shpresën dhe buzëqeshjen.
Kete mban mend Flora, infermierja që e mjekoi asokohe dhe e ka ftuar në “Ka një mesazh për ty”.
Kur ajo e takoi Izetin 3 vite pas aksidentit, nuk e njohu dot. Ai ishte në këmbë dhe kishte të katër gjymtyrët duke dëshmuar një rast mrekullie. Pas atij takimi, kanë kaluar 31 vjet dhe nuk janë parë më. Sot Izeti vjen në studio pa e ditur se kush ndodhet pas ekranit, ndërsa buzëqeshja nuk i shqitet nga fytyra.
Ardit Gjebrea: Ku e gjete forcën?
Izet: Forcën…ma ka dhënë i madhi Zot që më dha jetën në radhë të parë…pastaj…nëna ime! E ndjerë sot.
Ardit Gjebrea: Ah, nuk jeton më mami?
Izet: Jo, ka dy vjet që ndërroi jetë.
Flora rrëfeu se gjatë punës së saj ndër vite, historinë e Izetit e ka përdorur për t’u dhënë zemër pacientëve që kanë pësuar humbjen e gjymtyrëve. Ardit Gjebrea e ndan këtë detaj me Izetin dhe më pas i tregon se ajo e pret pas murit. Por përpara se Flora të thotë mesazhin e saj, Izeti tregon pak më shumë rreth rastit të tij dhe si përshtatet me rutinën e përditshme.
Ardit Gjebrea: Si e komandon dorën?
Izet: Për duart janë mekanike funksionale që funksionojnë me anë të shpatullës, e hap dorën, poshtë bërrylave i kam unë të dyja, edhe këmbët i kam poshtë gjunjëve. Kur janë poshtë gjunjëve janë më funksionale, janë më praktike sesa sipër gjurit sepse sipër gjurit duhet me mekanizëm gjuri pastaj dhe është funksion tjetër.
Ardit Gjebrea: Për gjithçka tjetër besoj të ndihmon bashkëshortja?
Izet: Po, patjetër.
Ardit Gjebrea: Sepse ti nuk ushqehesh dot apo jo?
Izet: Faktikisht nuk kam pranuar asnjëherë edhe nënën time të ndjerë, ushqimin e haja vetë.
Burimi: botasot.info


