Një 41-vjeçar i deportuar nga autoritetet britanike në vendin tonë, ku rezulton i dënuar për trafik droge, është arrestuar në Rinas.
Denis Xhelili, banues në Vlorë, sipas bluve është kthyer në kategorinë “Deportiv” nga Mbretëria e Bashkuar dhe, pas intervistimit dhe verifikimeve të detajuara ka rezultuar se Gjykata e Vlorës ka njësuar vendimin e Gjykatës së Kurorës Luton–Chichester.
Kjo e fundit e kishte dënuar me 13 vjet e 4 muaj burg, për veprat penale “Komplot për furnizim me drogë të klasit A” dhe “Komplot për t’u shmangur nëpërmjet mashtrimit nga ndalimi i importimit të një droge të klasit A”.
Njoftimi i policisë:
Rinas
Policia Kufitare Rinas ka intensifikuar kontrollet për goditjen e paligjshmërisë dhe kapjen e personave në kërkim.
Në këtë kuadër, janë kapur dhe vënë në pranga 3 shtetas, njëri prej të cilëve i dënuar me 13 vjet e 4 muaj burg.
Shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit, si rezultat i analizës së riskut, intervistimit të thelluar, verifikimeve të detajuara të dokumenteve të udhëtimit dhe shkëmbimit të informacionit me partnerët bënë të mundur ndalimin e 3 shtetasve në kërkim, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, konkretisht shtetasit:
Denis Xhelili., 41 vjeç, banues në Vlorë. Ky shtetas është kthyer në kategorinë “Deportiv” nga Mbretëria e Bashkuar dhe, pas intervistimit dhe verifikimeve të detajuara ka rezultuar se Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë ka njësuar vendimin e Gjykatës së Kurorës Luton–Chichester, e cila e ka dënuar me 13 vjet e 4 muaj burg, për veprat penale “Komplot për furnizim me drogë të klasit A” dhe “Komplot për t’u shmangur nëpërmjet mashtrimit nga ndalimi i importimit të një droge të klasit A”.
V. S., 38 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas udhëtonte nga Belgjika dhe është ndaluar në hyrje të R. Sh., ku pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 2 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”.
M. M., banues në Korçë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor ka vendosur konvertimin e dënimit nga gjobë në burgim, për veprën penale “Kalim i paligjshëm i kufirit”.
Shtetasit e lartëpërmendur, pas intervistimeve të kryera, iu dorëzuan për veprime të mëtejshme Drejtorive Vendore Vlorë, Tiranë dhe Korçë.
Burimi: botasot.info


