Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, uroi sot gratë dhe vajzat në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.
Hoxha theksoi se forca e grave në shërbimin e jashtëm të Shqipërisë është e dukshme çdo ditë. Sipas tij gratë përbëjnë shumicën në Trupën Diplomatike, duke kontribuar në formësimine angazhimit të Shqipërisë në botë.
“8 Marsi rikthehet çdo vit si një kujtesë e fuqishme e forcës që mban të bashkuara familjet, komunitetet dhe shoqëritë: qëndrueshmëria, vendosmëria dhe vizioni i grave dhe vajzave. Në Shërbimin e Jashtëm të Shqipërisë, kjo forcë është e dukshme çdo ditë.
“Sot, gratë përbëjnë shumicën në Trupën tonë Diplomatike; shumë prej tyre mbajnë pozicione kyçe drejtuese, përfshirë të tre zëvendësministrat, një numër ambasadoresh dhe anëtare të ekipt të lartë drejtues, duke kontribuar në formësimin e angazhimit të Shqipërisë në botë. Përmes profesionalizmit, përkushtimit dhe lidershipit të tyre, ato japin një kontribut vendimtar në avancimin e prioriteteve tona, dialogut dhe bashkëpunimit”, shkruan Hoxha.
Sipas tij “Shqipëria është veçanërisht krenare që e vendosi agjendën “Gratë, Paqja dhe Siguria” në qendër të punës së saj gjatë mandatit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.
Hoxha theksoi se nxitja e pjesëmarrjes kuptimplotë të grave në proceset e paqes dhe sigurisë, mbrojtja e të drejtave të tyre dhe garantimi që zëri i tyre të dëgjohet në vendimmarrje mbeten angazhime thelbësore të politikës sonë të jashtme.
“Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Gruas, në emër të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjitha gratë që i shërbejnë vendit tonë me integritet dhe përkushtim, shpesh edhe në mjedise të vështira dhe sfiduese, si dhe u përcjell urimet më të përzemërta të gjitha grave dhe vajzave në Shqipëri dhe në mbarë botën”, shkroi Hoxha në mesazhin e tij.
Burimi: botasot.info


