Posta e Maqedonisë së Veriut ka prezantuar sot pullën postare kushtuar 100-vjetorit të lindjes së Alija Izetbegoviqit (1925–2003), e realizuar nga Byroja e Filatelisë pranë këtij institucioni. Me këtë rast, drejtori gjeneral i Postës së Maqedonisë së Veriut, Orhan Kurtishi, theksoi rëndësinë historike dhe simbolike të kësaj figure.
“Sot u prezantua pulla postare kushtuar 100-vjetorit të lindjes së Alija Izetbegoviqit, simbol i lirisë, drejtësisë dhe barazisë, pullë e cila u bë nga Byroja e Filatelisë së Postës së Maqedonisë së Veriut”, shkroi Kurtishi në statusin e tij.
Ai nënvizoi se kjo pullë përfaqëson një homazh për një mendimtar dhe burrështetas të madh, mesazhi i të cilit mbetet aktual edhe sot. “Është një homazh për mendimtarin dhe burrështetasin e madh, mesazhi i të cilit për paqe dhe dinjitet njerëzor mbetet i përjetshëm”, theksoi Kurtishi.
Në fund, drejtori gjeneral bëri thirrje që vlerat dhe mesazhi i Alija Izetbegoviqit të përcillen edhe përmes këtij simboli filatelik. “Le të shpërndajmë mesazhin e tij për liri, drejtësi dhe shpresë”, përfundoi ai.
Burimi: alfax.mk


