Pas përfundimit të hetimeve, një prokuror publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup ka ngritur aktakuzë kundër ish-drejtorit të Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta (SHPPP), për veprat penale të vazhduara “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimeve zyrtare” sipas nenit 353, paragrafi 4 në lidhje me paragrafin 1, si dhe “Falsifikim i dokumentit zyrtar” sipas nenit 361, paragrafi 1 të Kodit Penal.
Sipas aktakuzës, në periudhën nga 3 korriku 2021 deri në mars 2024, i akuzuari ka keqpërdorur pozitën e tij si drejtor, duke tejkaluar autorizimet zyrtare dhe duke nënshkruar vendime dhe urdhra udhëtimi për vete dhe për disa të punësuar në SHPPP, pa ekzistuar bazë për udhëtime zyrtare jashtë vendit.
Ai, sipas Prokurorisë, për nevoja private dhe pa bazë ligjore ka përdorur avionin qeveritar Learjet 60, ndërsa gjatë këtyre udhëtimeve nga llogaria e SHPPP-së janë kryer pagesa për shpenzime të ndryshme. Përveç kësaj, për shërbime hoteliere dhe gastronomike ka përdorur pa të drejtë mjete nga karta zyrtare e lëshuar në emrin e tij.
Me këto veprime, sipas Prokurorisë, ai i ka shkaktuar dëm buxhetit të SHPPP-së në shumën prej 2.562.139 denarësh.
Në një rast tjetër, që përfshin periudhën 27 tetor 2023 – 14 qershor 2024, i akuzuari dyshohet se nuk e ka kryer detyrën e tij zyrtare me qëllim që t’i sigurojë përfitim pasuror një piloti të punësuar në SHPPP.
Edhe pse kishte marrë pjesë personalisht në takimin “Flight Safety Atlanta” dhe ishte informuar se piloti, pavarësisht trajnimeve shtesë, nuk i përmbushte standardet e nevojshme për të fluturuar me Learjet 60, ai nuk e kishte obliguar pilotin që, sipas kontratës së punës, të kompensonte shpenzimet e trajnimit dhe as nuk kishte njoftuar sektorin kompetent për ndërprerjen e marrëdhënies së punës.
Si rezultat, piloti ka vazhduar të marrë pagë si kapiten i avionit, ndërsa me këtë keqpërdorim, sipas aktakuzës, buxhetit i është shkaktuar dëm prej 5.431.624 denarësh.
Sa i përket veprës penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar”, Prokuroria pretendon se ajo është kryer gjatë procedurave të prokurimit publik për marrjen me qira të automjeteve për transportin e delegacioneve dhe për transportimin e civilëve nga Republika Islamike e Afganistanit në Maqedoninë e Veriut.
Të gjitha kontratat ishin lidhur me të njëjtën kompani rent-a-car nga Shkupi, ndërsa në deklaratat zyrtare për mungesë konflikti interesi, i akuzuari kishte deklaruar në mënyrë të rreme se nuk kishte interes privat apo përfitim material ose jomaterial nga këto procedura.
Megjithatë, sipas Prokurorisë, që para lidhjes së kontratave, gjatë mandatit dhe edhe pas përfundimit të tij, ai dhe bashkëshortja e tij kishin përdorur pa pagesë automjete të kësaj kompanie për udhëtime brenda dhe jashtë vendit.
Në këtë pjesë të rastit ishte hapur hetim edhe ndaj pronarit të kompanisë për veprën penale “Dhënie ryshfeti”, por pas analizës së provave, prokurori publik ka konstatuar se nuk kishte prova se ai kishte vepruar me qëllim për të siguruar favore në tenderë përmes dhënies pa pagesë të automjeteve ish-drejtorit.
Për këtë arsye, Prokuroria ka nxjerrë urdhër për ndërprerjen e procedurës hetimore ndaj pronarit të kompanisë.
Burimi: alfax.mk


