Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu ka thënë se Kosova nuk mund të lejojë që në sistemin e saj të drejtësisë të ketë ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë serbë që u binden urdhrave të Serbisë.
Ajo i bëri thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës që ta zbatojë ligjin dhe të veprojë njësoj si Këshilli Prokurorial i Kosovës, duke i dhënë epilog çështjes së dorëheqjeve të ofruara nga gjyqtarët dhe stafi mbështetës i komunitetit serb brenda sistemit gjyqësor të Kosovës.
“Ish-gjyqtarët dhe ish-prokurorët serbë kanë përfituar dhe vazhdojnë të përfitojnë nga Serbia. Pjesa dërrmuese e tyre kanë përfituar mjete financiare nga Serbia. Edhe gjatë kohës sa kanë qenë prokurorë dhe gjyqtarë në Kosovë kanë marrë mjete financiare nga Serbia”, ka thënë ajo.
Haxhiu teksoi se ka raste kur ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë “kanë marrë pjesë në takime të ndryshme në Serbi dhe Kosovë, ku janë diskutuar plane edhe për bllokimin e rrugëve në Kosovë”.
“Mandati i prokurorit dhe i gjyqtarit përfundon me dorëheqje. Ligji nuk parasheh asnjë mekanizëm për rikthimin në të njëjtin mandat. Në linjë me përgjegjësitë e mia, unë sot i bëj thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës që ta ndjekë praktikën e Këshillit Prokurorial të Kosovës. Nuk mund të lejojmë që në sistemin tonë të drejtësisë të kemi gjyqtarë dhe prokurorë që u binden urdhrave të Serbisë. Kush nga partnerët tanë ndërkombëtarë do të lejonte që në shtetet e tyre të kishin prokurorë dhe gjyqtarë që u binden shteteve të tjera? Dyert e institucioneve tona janë të hapura për prokurorë dhe gjyqtarë serbë që nuk ndikohen nga Serbia”, ka shtuar Haxhiu.
Haxhiu: Për shkak të ndërhyrjeve nga Serbia, drejtësia në veri ka dështuar
Haxhiu tha se ndikimi i drejtpërdrejtë i Serbisë te këta individë, ka bërë që drejtësia në veri të dështoj më parë.
“Për shkak të ndërhyrjeve nga Serbia dhe lojalitetit të dëshmuar, në shumë raste administrimi i drejtësisë ka dështuar në të kaluarën në veri. Dhe ka dyshime të bazuara që ato veprime kanë qenë të qëllimshme dhe të instruktuara nga qarqe të lidhura me krimin, por edhe me pushtetin në Serbi”, ka thënë ajo.
Ajo tha se ka dëshmi se një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë kryer aktivitete të dyshimta, duke u angazhuar me punë në shërbim të strukturave ilegale serbe që kanë operuar në Kosovë, me theks të veçantë në veri të vendit.
Burimi: botasot.info

