Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar dy heronjtë, Elfete e Mentor Humolli, duke thënë se sakrifica e tyre u gdhend në historinë kolektive.
“Më 1 shkurt 1990, u shua jeta e Elfete Humollit, vajzës 16-vjeçare nga Lupçi i Poshtëm i Podujevës. Ajo do të vritej duke protestuar kundër regjimit serb në rrugën Podujevë-Prishtinë.
Në atë protestë ishte edhe vëllai i saj, Mentori, atëherë vetëm 13 vjeçar. Sakrifica e motrës së tij do ta udhëhiqte në rrugën e lirisë. Nëntë vite më vonë, më 21 maj 1999, Mentori do të binte heroikisht në përballje me armikun, në kufirin shqiptaro-shqiptar”, ka shkruar Haradinaj.
Më tej ai tha se “sakrifica e Elfetes dhe Mentorit, ashtu si e shumë të rinjve e të rejave që u flijuan për liri, mbetet e gdhendur përgjithmonë në kujtesën tonë historike”.
Burimi: botasot.info

