Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar sot në Prizren përfaqësues të bizneseve dhe zejtarëve lokalë, ku ka prezantuar masat që synojnë lehtësira fiskale dhe qasje më të mirë në kredi për sektorin privat.
Gjatë takimit të mbajtur në ambientet e ESNAF-it, Hamza theksoi se dialogu i drejtpërdrejtë me bizneset është thelbësor për zhvillimin ekonomik. Ai prezantoi disa masa fiskale, përfshirë ndryshimin e mënyrës së pagesës së TVSH-së për mallrat e importuara, e cila sipas planit do të paguhet pas shitjes dhe jo në momentin e hyrjes në kufi.
Po ashtu, Hamza njoftoi se bizneset me qarkullim deri në 10 mijë euro do të lirohen nga tatimi, ndërsa ato me qarkullim deri në 30 mijë euro do të tatohen mbi bazën e fitimit real.
Sipas tij, përmirësimi i qasjes në kredi dhe krijimi i kushteve më të favorshme për investitorët do të ndikojnë në rritjen e investimeve, konkurrencës dhe punësimit në vend.
“Bisedat me bizneset krijojnë mundësi reale për zhvillim ekonomik,” u shpreh Hamza, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së sektorit privat për një ekonomi të qëndrueshme.
Në kuadër të vizitës në Prizren, Hamza, së bashku me kryetarin e Komunës, Shaqir Totaj, ka vizituar edhe Shoqërinë Kulturore-Artistike “Agimi”, si dhe ka vazhduar me shpërndarjen e fletushkave me programin e tij.
Gjatë ecjes nëpër qytet, ai ka takuar edhe qytetarë të shumtë, të cilëve u ka prezantuar zotimet për rritje pagash, mirëqenie të qëndrueshme dhe zhvillim ekonomik.
Burimi: botasot.info


