hamasi kthen trupat e dy pengjeve te tjera por thote se i duhet me shume kohe per te gjetur te tjeret 68f086142aaa1

Hamasi kthen trupat e dy pengjeve të tjera, por thotë se i duhet më shumë kohë për të gjetur të tjerët

October 16, 2025
min lexim

Hamas thotë se ka dorëzuar trupat e dy pengjeve izraelite të tjera sipas kushteve të marrëveshjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, por shton se i duhet kohë dhe pajisje të specializuara për të rikuperuar trupat e tjerë të pajetë nga rrënojat e Gazës.

Krahu i armatosur i grupit tha në një deklaratë se mbetet i përkushtuar ndaj marrëveshjes, por se ka kthyer të gjitha trupat e pengjeve që ka arritur t’i gjejë, raporton BBC transmeton “Bota sot”.

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se forcat izraelite mund të rifillojnë luftimet në Gaza nëse Hamas nuk e respekton marrëveshjen.

Në një deklaratë, zyra e kryeministrit izraelit tha se Izraeli ka pranuar – përmes Kryqit të Kuq – arkivolet që përmbanin trupat e pengjeve, të cilët tashmë po presin identifikimin zyrtar.

“Ushtria izraelite (IDF) u bën thirrje qytetarëve të tregohen të ndjeshëm dhe të presin identifikimin zyrtar, i cili fillimisht do t’u komunikohet familjeve të pengjeve të vrarë”, thuhet në deklaratë.

Këshilltarë të lartë amerikanë, duke dhënë përditësim për zbatimin e planit të paqes me 20 pika, thanë se qeveria amerikane deri më tani nuk beson se Hamas e ka shkelur marrëveshjen, pavarësisht se nuk i ka rikuperuar ende trupat e pengjeve të tjerë të pajetë.

Ata argumentuan se Hamas ka vepruar me mirëbesim duke liruar pengjet e gjalla dhe po punon me ndërmjetës të ndryshëm për të gjetur dhe kthyer trupat e të vrarëve.

Nëse dy trupat e dorëzuar të mërkurën në mbrëmje konfirmohen se janë të pengjeve, atëherë do të thotë se 19 persona ende nuk janë llogaritur në Gaza. Hamas është i detyruar të kthejë gjithsej 28 trupa pengjesh të vrarë si pjesë e fazës së parë të planit të paqes për Gazën.

Por krahu i armatosur i Hamasit tha në një deklaratë se “trupat e mbetur kërkojnë përpjekje të mëdha dhe pajisje të specializuara për kërkim dhe nxjerrje, dhe ne po bëjmë përpjekje të mëdha për ta mbyllur këtë çështje”.

Më herët, Izraeli kishte deklaruar se “nuk do të bëjë kompromis” për kthimin e pengjeve, duke shtuar se “misioni nuk ka përfunduar ende”.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit tha se i ka urdhëruar forcat izraelite të përgatisin një “plan gjithëpërfshirës” për të mposhtur Hamasin në Gaza në rast të rifillimit të luftës.

Pas takimit me gjeneralë të lartë të mërkurën, Israel Katz tha se ushtria duhet të jetë e gatshme të veprojë nëse Hamas refuzon të zbatojë planin e paqes.

Dorëzimet e fundit të trupave erdhën pasi Izraeli tha se një nga katër trupat e kthyer nga Hamasi të martën nuk ishte në mesin e pengjeve të zhdukur.

Tre të tjerët u identifikuan si Tamir Nimrodi, 20 vjeç, Eitan Levy, 53 vjeç, dhe Uriel Baruch, 35 vjeç, sipas Forumit të Familjeve të Pengjeve.

Familjet e pengjeve konfirmojnë identitetin e tre prej katër trupave të dorëzuar nga Hamasi
‘Më keq se të fillosh nga e para’: sa i madh është sfidimi i rindërtimit të Gazës?
Ekspertët në Gaza punojnë për të identifikuar trupat e 90 palestinezëve të kthyer nga Izraeli.

Më herët të mërkurën, shefi i ndihmës humanitare të OKB-së, Tom Fletcher, i bëri thirrje Izraelit të hapë menjëherë të gjitha pikat kufitare të Gazës për ndihmë humanitare, siç parashikohet në planin e armëpushimit.

Në një postim në X (ish-Twitter), Fletcher tha se Hamas duhet “të bëjë përpjekje të mëdha për t’i kthyer të gjitha trupat e pengjeve të vrarë”.

Ai shtoi: “Ashtu siç ka rënë dakord Izraeli, duhet të lejohet vala masive e ndihmave humanitare – mijëra kamionë në javë – nga të cilat varen shumë jetë dhe për të cilat ka insistuar e gjithë bota.”

Ai bëri thirrje për “më shumë pika hyrëse dhe një qasje të vërtetë, praktike për zgjidhjen e pengesave të mbetura”, duke theksuar se “mbajtja peng e ndihmës për civilët nuk është mjet pazari”.

Plani i armëpushimit i Trump-it, të cilin e kanë pranuar si Izraeli ashtu edhe Hamasi, parashikonte që dorëzimi i të gjithë 48 pengjeve të përfundonte deri të hënën në mesditë. Hamasi i kishte kthyer të gjithë 20 pengjet e gjallë atë ditë.

Megjithatë, marrëveshja e ndërmjetësuar nga SHBA-ja duket se pranon se Hamasi dhe fraksionet e tjera palestineze mund të mos kenë arritur t’i gjejnë të gjitha trupat e pengjeve para afatit fillestar të së hënës.

Sipas marrëveshjes, Izraeli gjithashtu ra dakord të dorëzojë trupat e 15 palestinezëve për çdo peng izraelit të vrarë.

Izraeli ka kthyer edhe 45 trupa të tjerë palestinezë, konfirmoi të mërkurën ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi, duke e çuar numrin total të trupave të kthyer nga Izraeli në 90.

Ndërkohë, në Gaza, banorët raportojnë shqetësim në rritje për qëndrueshmërinë e armëpushimit – dhe çmimet e ushqimeve janë rritur ndjeshëm ndërsa palestinezët po grumbullojnë rezerva.

Tregtarët dhe furnizuesit në enklavë po magazinojnë mallra për të krijuar mungesa dhe për të rritur fitimet, nga frika se lufta mund të rifillojë, thanë banorë lokalë për BBC-në.

“Sa herë që fillojmë të ndihemi të sigurt, shfaqen kërcënime të reja, dhe kemi frikë se lufta do të fillojë sërish,” thotë nëna e gjashtë fëmijëve, Neven Al-Mughrabi, e zhvendosur nga Gaza dhe aktualisht në Khan Younis.

“Humba shtëpinë time në qytetin e Gazës, vendosa të qëndroj këtu me familjen sepse nuk i besoj armëpushimit dhe jemi lodhur nga shpërnguljet.”

Ajo shton se një tregtar në tregun kryesor të Khan Younis-it tha se kërkesa për miell, vaj dhe sheqer u rrit brenda pak orësh.

Megjithëse çmimet u rritën menjëherë me rreth 30%, njerëzit po blejnë sikur nuk i besojnë qetësisë që do të zgjasë gjatë – të gjithë kanë frikë se ndihmat do të ndalen,” thotë Neven.

Këshilltarët amerikanë shtuan gjithashtu se SHBA po punon me Izraelin për të krijuar “zona të sigurta” pas “vijës së verdhë” ku njerëzit mund të strehohen nëse ndihen të rrezikuar nga Hamasi.

Në afat më të gjatë, këshilltarët thanë se nuk shohin të ardhme për Hamasin që të qeverisë ndonjë pjesë të Gazës.

Fokusi aktual, sipas tyre, është në “shmangien e përplasjes”, që do të lejonte rrjedhjen e ndihmave në Gaza dhe fillimin e rindërtimit, me një forcë ndërkombëtare sigurie që ende është në fazat e para të krijimit.

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

dita boterore e ushqimit 68f08505a96d5
Lajmi i mëparshëm

Dita Botërore e Ushqimit

shqiperia vetem me dy gjini burre dhe grua zbulohet drafti i ps shfuqizohet nga pr ligji i qeverise gjinia e trete 22 amendamente kunder perkatesise se shumefishte 68f087ccd1ceb
Lajmi i radhës

Shqipëria vetëm me dy gjini, burrë dhe grua. Zbulohet drafti i PS, shfuqizohet nga pr.ligji i Qeverisë “gjinia e tretë”. 22 amendamente kundër “përkatësisë së shumëfishtë”

Të fundit nga

ShkoLartë