Koalicioni i organizatave joqeveritare i përbërë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO),“Javën Kundër Korrupsionit 2025” e kanë nis me grevë njëditore si formë proteste kundër korrupsionit dhe kundër politikave që po e paralizojnë funksionimin e shtetit.
Hulumtuesja ligjore në IKD, Arrita Rezniqi tha se aksioni simbolik për grevë njëditore është përgjigje e mos reagimit të institucioneve karshi problematikave që shoqëria civile i ka ngritur.
Ajo potencoi se qëllimi i këtyre tri OJQ-ve është që ta shndërrojmë “Javën Kundër Korrupsionit 2025”, një moment kërkese të qartë se duhen institucione funksionale, që punojnë në interes të qytetarëve dhe që luftojnë korrupsionin.
Rezniqi: Javën e nisëm me veprimin simbolik jemi në grevë
“Sot, ne kemi vendosur ta nisim këtë javë me një veprim simbolik, të cilin e keni parë edhe para ndërtesës, ku baneri i shpalosur njofton për mbajtjen e grevës njëditore, si formë proteste kundër korrupsionit dhe kundër politikave që po e paralizojnë funksionimin e shtetit. Ne kemi vendosur të hyjmë në grevë sepse si organizata të shoqërisë civile në vazhdimësi kemi reaguar ndaj shkeljeve të ligjit, kapjes së institucioneve, stagnimit të reformave dhe kemi bërë thirrje për domosdoshmëri në luftës kundër korrupsionit. Në vazhdimësi kemi paralajmëruar për fenomenet që tashmë janë bërë sistemike, por përkundër angazhimit tonë, analizave konkrete dhe rekomandimeve që i kemi paraqitur, nuk ka pasur reagim nga institucionet shtetërore, nuk ka pasur reflektim dhe nuk ka pasur angazhim konkret në adresimin e krejt këtyre çështjeve dhe problematikave”, tha ajo.
Rezniqi tha se mungesa e reformës së plotë në drejtësi, mos fillimi i vettingut në drejtësi, korporatizimi në sistemin prokurorial, ligjet kundër-kushtetuese janë disa nga problemet që po e dëmtojnë jetën e qytetarëve, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik.
Çka po e dëmton jetën e qytetarëve në vend – tregon Rezniqi
“Mungesa e reformës së plotë në drejtësi, mos fillimi i vettingut në drejtësi, korporatizimi në sistemin prokurorial, ligjet kundër-kushtetuese, mungesa e strategjisë kundër korrupsionit, pezullimi i dialogut strategjik nga SHBA-të, mungesa e dialogut social, sulmet e vazhdueshme ndaj gazetarëve, shoqërisëcivile, institucioneve të drejtësisë, e bllokimi i fondeve tëplanit të rritjes së BE-së, janë vetëm disa prej ngjarjeve dhe problemeve që po e dëmtojnë jetën e qytetarëve, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe besimin në demokraci dhe funksionimin e mirëfillt të vendit tonë”, tha ajo.
Në këtë konference për medie, Arrita Rezniqi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi theksoi se sot në nisje të “Javës Kundër Korrupsionit 25” duan të japin mesazhin se Kosova ka nevojë për sundim të ligjit e jo inkurajim të korrupsionit.
Rezniqi: Vendi ka nevojë për sundim të ligjit
“Të japim një mesazh të fortë dhe të qartë se vendi jonë ka nevojë për veprime konkrete, për përgjegjësi dhe institucione funksionale dhe mbi të gjitha ka nevojë për sundim të ligjit, e jo për inkurajim të korrupsionit. Ky veprim i joni që e kemi zgjedh sot është thirrje për të gjitha institucionet e shtetit, për respektim të mandatit kushtetues, përgjegjësisë publike dhe përmbushjen e detyrimit për të garantuar integritet, transparencë dhe funksionim demokratik”, tha ajo.
Ndërkohë, “Java kundër Korrupsionit 2025” do të vazhdojë me një sërë aktivitetesh të rëndësishme, nga publikime analitike deri te tryezat, debatet, podcastet dhe aktivitetet e tjera konceptuale.
Burimi: botasot.info


